FOTO+VIDEO/ Furnizonin grupe kriminale me armë zjarri, arrestohen 2 persona në Tiranë (EMRAT)
Policia e Tiranës finalizoi operacionin “Silent”, pas një hetimi dymujor me metoda proaktive.
U arrestuan në flagrancë dy të rinj Arbër Hasa, 19- vjeç dhe Oldi Peca, 20- vjeç, të dy banues në Vorë, që transportonin 4 pistoleta dhe armë të ftohta, të dyshuara për t’u shitur grupeve kriminale.
Gjatë kontrolleve, në banesën e një shtetasi tjetër u sekuestruan sende të kundërligjshme, dhe ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Hetime proaktive dhe inteligjencë policore, me objektiv goditjen e grupeve kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Silent”. Sekuestrohen 4 pistoleta dhe 3 armë të ftohta.
Furnizonin grupe kriminale, me armë zjarri, të cilat modifikoheshin me silenciatorë, arrestohen 2 shtetas.

Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë dhe të ndjekur në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni “Silent”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, shtetasit A. H., 19 vjeç dhe J. P., 20 vjeç, të dy banues në Vorë.
Atyre iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë. Në momentin e arrestimit, në automjet u gjet dhe 1 mjet prerës (thikë).
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shokut të të arrestuarve, shtetasit G. Sh., 49 vjeç. Në këtë ambient u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome.

Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

