SPAK godet krimin zgjedhor në Shkodër, gjenden para, tollona nafte dhe karta identiteti

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, ka zhvilluar fazën e parë të operacionit policor të koduar "Premtimi", i cili synon parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e zgjedhjeve.

Operacioni është ndërmarrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Forcën e Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Në bazë të një vendimi të datës 7 maj 2025, lëshuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u ekzekutuan kontrolle fizike dhe në automjete ndaj gjashtë shtetasve: F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës.

Kontrollet u kryen në nëntë automjete, përfshirë automjete në pronësi të shtetasve të sipërpërmendur, një automjet të OSHEE-së në përdorim nga një prej të kontrolluarve, si dhe mjete të tjera private.

Gjatë operacionit u sekuestruan shtatë celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tollona karburanti. Gjithashtu, u gjetën dhe sekuestruan lista me emra qytetarësh, që dyshohet se lidhen me veprimtari të paligjshme në kuadër të procesit zgjedhor.

Njoftimi i policisë:

Punë intensive në bashkëpunim me SPAK, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e  zgjedhjeve.

U zhvillua në qarkun Shkodër, faza e parë e operacionit policor të koduar “Premtimi”.

Në bashkëpunim me BKH, u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve  ndaj 6 shtetasve.

Sekuestrohen celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që u gjetën këtyre shtetasve.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës intensive të bërë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, zhvilluan sot, në qarkun Shkodër, fazën e parë të operacionit policor kundër krimeve zgjedhire, të koduar “Premtimi“.

Në kuadër të kësaj faze u bë ekzekutimi i vendimit të datës 07.05.2025, të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontrollin fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, konkretisht ndaj shtetasve F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës;

-automjetit në pronësi të shtetasit F. V.;

-automjetit në pronësi të shtetasit B. P.;

-automjetit në pronësi të shtetasit D. D.;

-automjetit në pronësi të OSHEE-së, në përdorim nga shtetasi S. Z.;

-2 automjeteve në pronësi të shtetasit B. H.;

-3 automjeteve në pronësi të shtetasit Z. D.

Nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona  karburanti.

Hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë.