EMRI/ Elektricisti humb jetën gjatë punimeve në një qendër votimi në Mirditë, plagosen dy kolegët e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në Kodër Rrëshen të Mirditës, ku një elektricist ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë punimeve për të siguruar furnizimin me energji elektrike në një qendër votimi.

Bëhet me dije se viktima është identifikuar si Emiljano Bunga, punonjës i OSHEE-së, ndërsa dy kolegët e tij janë dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur te godina e ish-shkollës së mbyllur në Kodër Rrëshen, ku po punohej për të mundësuar energjinë elektrike për qendrën e votimit.

Pavarësisht përpjekjeve për të ofruar shërbim në kohë për procesin zgjedhor, një aksident tragjik ka ndodhur gjatë operacionit.

Drejtuesit e OSHEE dhe policia po hetojnë shkaqet e incidentit.

Mirditë/Informacion paraprak

Rreth orës 12:00, në Rrëshen, shtetasi E. B., rreth 37 vjeç, elektricist, gjatë punës në një shtyllë elektrike, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, dhe për pasojë ka humbur jetën. 

Gjatë punës janë dëmtuar lehtë edhe shtetasit Z. P., 60 vjeç, dhe T. D., 58 vjeç, elektricistë. 

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.