Akuzohet se inskenoi vdekjen e tij në Pukë, ekstradohet nga Italia shtetasi italian

Policia e Shtetit ka ekstraduar nga Italia shtetasin italian D.P i cili akuzohet se inskenoi në vitin 2021 vdekjen e tij në Pukë.

Policia njoftoi se “në vijim të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit italian, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, D. P., 50 vjeç”.

Sipas policisë “në vitin 2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë ka lëshuar urdhërarresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: “Mashtrimi”, ”Dhunimi i varreve”, ”Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ”Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit””.

Policia bëri më dije se “në vitin 2021, ky shtetas dyshohet se ka djegur automjetin me të cilin lëvizte në fshatin Gjegjan, Pukë, me qëllim inskenimin e vdekjes së tij”.