REZULTATET DHE RENDITJA e Seria A/ Lazio dhe Roma barazojnë 1-1, tifozët përplasen me policinë para derbit!
Serie A e futbollit në Itali vijoi këtë të diel (13 prill) me pesë ndeshjet e radhës për raundin e 32-të. Gjithçka nisi në orën 12:30 me fitoren 2-0 të Atalantës kundër Bolognas, sfidë kjo direkte për zonën Champions. Kjo e dielë kulmoi në orën 20:45 kur nis derbi i kryeqytetit mes Lazios dhe Romës, teksa para ndeshjes pati përplasje mes tifozëve të Lazios dhe policisë. Në fushë skuadrat u ndanë në barazimin 1-1.
Në Bergamo vendasit e Atalantës fituan pa problem 2-0 kundër Bolognas, në një sfidë që mund të vendos shumë për skuadrën që do jetë në zonën Champions. Me Berat Gjimshitin në fushë për 90 minuta, zikaltërit e Gasperinit kaluan në epërsi pas vetëm tre minutave lojë me golin e Retegui.
Goleadori i Atalantës nuk gaboi dhe pasimin e Bellanovas e ndali në rrjetë. Për të "vulosur" tri pikët mendoi Pasalic në minutën e 21-të, që u asistua nga Retegui. Pas tre humbjeve radhazi Atalanta rigjen tri pikët dhe me 61 të tilla rimerr vendin e tretë, duke lënë Bolognan me 57 pikë në pozitën e pestë.
Në "Olimpico" derbi mes Lazios dhe Romës u mbyll 1-1. Sfida në fushë rezultoi të mbyllej në paqe, teksa jashtë stadiumit tifozët e Lazios u përleshën me policinë, nga ku mbetën 13 oficerë të lënduar. Sa i takon anës sportive, Roma vijon të jetë e pamposhtur për ndeshjen e 16-të radhazi në Serie A (11 fitore, 5 barazime).
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërsa fraksioni i dytë solli golin e Romagnolit, që kaloi në epërsi Lazion që në minutën e 47-të. Duhej një perlë e Soule nga afro 30 metra që Roma të barazonte dhe të merrte një pikë me vlerë
Përplasja – Portat e stadiumit u hapën në 18:00, teksa në rrugët e kryeqytetit italian nuk munguan përplasjet mes tifozëve dhe policisë. Mediet tej Adriatikut bëjnë me dije se tensionet u rritën në maksimum kur një grup i tifozëve të Lazios u përplas me policinë, me këta të fundit që u përgjigjën me topa uji, tymuese dhe forcë. U sekuestruar disa shkopinj dhe sende të forta.
Serie A, raundi 32:
E diel, 13 prill 2025
12:30 Atalanta 2-0 Bologna
15:00 Fiorentina 0-0 Parma
15:00 Verona 0-0 Genoa
18:00 Como 1-0 Torino
20:45 Lazio 1-1 Roma

