Liverpooli me një dorë te trofeu i titullit, Salah shënon një tjetër rekord
Liverpool është afruar ndjeshëm me titullin e 20-të kampion në histori pas një fitoreje të ngushtë 2-1 ndaj West Hamit në Anfield.
Pas gabimit të Arsenalit një ditë më parë, “The Reds” e shfrytëzuan mundësinë për të forcuar pozitat në krye.
Luis Díaz zhbllokoi sfidën në minutën e 18-të pas një asisti nga Mohamed Salah, i cili regjistroi kontributin e 45-të sezonal në Premier League – një rekord për një sezon me 38 ndeshje.
West Ham-i pati disa raste për të barazuar, por Alisson ishte në një formë të shkëlqyer.
Në pjesën e dytë, Liverpool e nisi vrullshëm dhe goditi traversën me një gjuajtje të Mac Allister.
Megjithatë, West Ham-i nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte në minutat e fundit, kur një devijim nga Robertson, pas një ndërhyrjeje të Van Dijk, çoi topin në rrjetën e gabuar.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, Van Dijk u rikuperua dhe shënoi golin e fitores me kokë pas një goditjeje këndi nga Mac Allister.
Me këtë sukses, Liverpool ka 13 pikë avantazh në krye të renditjes, me vetëm gjashtë ndeshje të mbetura.
Në ndeshjet e tjera, Chelsea barazoi 2-2 me Ipswich, duke humbur vendin e katërt pas javës së 32-të, ndërsa Wolves iu imponua 4-2 Tottenham-it për fitoren e katërt radhazi që praktikisht i siguron mbijetesën.
