Tension në Romë para derbit, përplasje mes tifozëve, policia ndërhyn me ujë
Momente tensioni janë regjistruar sot në Romë, jashtë stadiumit "Olimpico", përpara zhvillimit të derbit të zjarrtë mes Romës dhe Lazios.
Rreth 500 tifozë të Romës, shumë prej tyre me fytyra të mbuluara, janë nisur nga ura "Duca d'Aosta" për të arritur në zonën ku ndodheshin tifozët e Lazios.
Në sheshin "Cardinal Consalvi" ndodhi përplasja e parë, ku tifozët verdhekuq hodhën objekte në drejtim të forcave të rendit.
Policia reagoi menjëherë duke i sprapsur tifozët dhe duke i detyruar të tërhiqen.
Tensione pati edhe në zonën e "Ponte Milvio", ku qindra tifozë të Lazios, të cilët po shkonin drejt stadiumit, u kthyen dhe u përplasën me policinë. Për të shpërndarë turmën u përdorën ujëhedhësit.
Situata u vu nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave të rendit, por episodi dëshmon edhe një herë klimën e nxehtë që shoqëron derbin e kryeqytetit italian.
