MOTOGP / Markez fiton në Katar dhe rimerr kreun e klasifikimit!

Marc Márquez konfirmoi formën e tij të jashtëzakonshme duke fituar edhe garën kryesore të Çmimit të Madh të Katarit, pas suksesit në provat e së shtunës. Piloti spanjoll i Ducati-t dominoi fundjavën në Losail dhe u rikthye në krye të renditjes së kampionatit botëror, me 18 pikë më shumë se vëllai i tij, Alex Márquez.

Gara ishte një duel i gjatë dhe emocionues me Maverick Viñales, surpriza e së dielës me KTM-në, i cili provoi deri në fund të mposhtte Márquez-in, por pa sukses. Viñales, ndonëse nën hetim për presion të ulët të gomave, përfundoi i dyti, ndërsa vendin e tretë në podium e zuri Francesco Bagnaia me Ducati-n zyrtar.

Ditë e vështirë për Jorge Martín, i cili, pas rikthimit nga një dëmtim në dorë, përfundoi garën pas 15 xhirosh me një rrëzim të rrezikshëm, duke u përplasur me Fabio Di Giannantonio. Martín u dërgua menjëherë në qendrën mjekësore për kontroll.

Në vendin e katërt përfundoi Franco Morbidelli me Ducati-n VR46, i ndjekur nga Johann Zarco dhe Alex Márquez. Top 10-shja u plotësua nga Fermin Aldeguer, Fabio Quartararo, Pedro Acosta dhe Marco Bezzecchi.

Me këtë sukses, Márquez regjistron fitoren e shtatë sezonale (katër në Sprint dhe tre në garën e gjatë) dhe tregon qartë synimin për titullin kampion, ndërsa gara e ardhshme premton tjetër spektakël në MotoGP.