Berisha me bizneset e vogla: Energjinë do ta paguani 6 lek! Gjobat e vendosura me arbitraritet do të falen

Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar ditën e sotme takime me banorë dhe tregtarë të degës 8 në Tiranë. Gjatë bisedës me tregtarët e bizneseve të vogla, kryedemokrati Sali Berisha u ka shpjeguar atyre programin e ‘PD-Shqipëria Madhështore’ për biznesin e vogël dhe lehtësirat që do të ju krijojë qeverisja pas fitores në 11 maj.

Ai theksoi se do të paguhet për energjinë elektrike me 6 si dhe tarifat për ujin do të përgjysmohen. Sipas tij gjobat e vendosura me arbitraritet do të falen.

"Do ta blini energjinë me 6 lek. Tarifat e ujit do të përgjysmohen. Taksat e shumta që vendos bashkia mbi ju, tarifat nuk do të jenë kurrë më shumë se 1% e xhiros. Sot i keni 8 apo dhe 10% të xhiros. Jo nuk do jenë. Gjobat do të falen. Gjobat e vendosura me arbitraritet nga këta plaçkitës do të falen. Ne e konsiderojmë të një rëndësie shumë të madhe, suksesin e biznesit të vogël. Suksesi juaj është mëkëmbje për ju, është punësim për shoqërinë dhe shtetin shqiptar," tha ai.