PL prezanton kandidatët, Maliqi: Vendosa të isha në listë të hapur, sepse më pëlqen të zgjedh populli
Partia e Lirisë ditën e sotme prezantoi kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit si pjesë e koalicionit 'Aleanca për Shqipërinë madhështore'.
Presidenti i kësaj partie, Ilir Meta, i'u drejtua të pranishëmve dhe qytetarëve me fjalë nga qelia duke kërkuar votë për numrin 1, që do të jetë votë për një qeveri që vendos në prioritet të parë qytetarët.
Për të folur për këtë aktivitet dhe pritshmëritë e PL i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte kandidati për qarkun e Beratit, Lefter Maliqi.
" Doja të ndalesha në shoqërimin e kundraligjshëm të ish-deputetit, ish- drejtues policie në disa rrethe të Shqipërisë, ish-kolegun tim dhe kryetarin e ballit kombëtar të një force opozitare, Adriatik Alimadhi, i cili i njeh ligjet shumë mirë dhe këta narko banditë që bëjnë shoqërime të tilla pa vendim, pa urdhër, pa shkresa, verifikime nëpër lokale apo ambjente ku punohet dhe ku ka njerëz do të mbajnë përgegjësi pas datës 11 maj, ashtu siç do të mbajnë përgjegjësi dhe krerët e kamikazve në krye të drejtorisë së policisë së shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të cilët arrestuan në mënyrë banditeske ish-presidentin Meta.
Sot ishte një ditë e veçantë, historike, ku unë së bashku me 12 kandidatë të tjerë për deputetë të 'Aleancës së madhe për Shqipërinë madhështore', të Partisë së Lirisë, tashmë jemi një, funksionojmë si një grup, me të drejta të barabarda, për një fitore historike, për të mirën e Shqipërisë.
Pas bisedimeve me zotin Meta dhe kontakteve me shkresa për shkak të izolimit të tij, por dhe takimeve me liderin Sali Berisha, unë vendosa të isha në listë të hapur sepse gjatë gjithë karrierës sime më pëlqen që deputeti të zgjidhet nga populli", u shpreh Maliqi.
