Shtohen kontrollet në rrugë, Qato: Kush parakalon në tunel do t'i hiqet patenta
Policia ka përcaktuar zonat ku ndodhin edhe më shumë aksidente.
Për të parandaluar ngjarjet në to do të ketë kontrolle të shtuara dhe masa më të ashpra ndaj shkelësve.
Altin Qato shprehet se edhe në tunelin e Murrizit do të ketë monitorim, ku atyre që parakalojnë do tu hiqet patenta.
Nisur nga rritja e ngjarjeve të rënda në rrugë, policia ka bërë të ditur se janë shtuar kontrollet në të gjithë akset.
Kreu i rrugores Altin Qato, ka bërë të ditur se janë përcaktuar edhe zonat ku ka edhe më shumë aksidente ku do të ketë më shumë monitorim
''Ne kemi bërë një përcaktim të “njollave të zeza”, me qëllim intensifikimin dhe monitorimin e këtyre akseve.
Në dispozicion të shërbimeve të Policisë ne kemi vendosur të gjitha pajisjet dhe mjetet që kemi për kontrollin automatik të gjithë shkeljeve, qoftë të shpejtësisë, parakalimit, por edhe të shkeljeve të tjera të Kodit Rrugor'', tha Qato.
Edhe në tunelin e Murrizit do të kontrolle të shtuara dhe masa më të ashpra në rastet e parakalimit.
''Nga monitorimi që po i bëj me shërbimet tona policore konstatoj një tejkalim të normave të shpejtësisë dhe kryesisht në parakalime brenda në tunel, e cila është një shkelje tepër e rëndë e cila nuk ka me një parakalim të gabuar, por ka të bëj me një kalim në sens të kundërt ose kapërcim të trafikndarëses, e cila parashikohet me një masë të ashpër në Kodin Rrugor, që përveç masës administrative me vlerë financiare ka masë plotësuese tërheqjen e lejes së drejtimit 12 deri në 24 muaj, si dhe zbritjen e 15 pikëve'', tha Qato.
Qato ka shtuar se me fillimin e sezonit turistik do të ketë një strategji qoftë për të menaxhuar trafikun por edhe për të ndëshkuar shkelësit
