E PAPARË NË VLORË! 15-vjeçari me autizëm thyen rrjetet e 6 institucioneve, përfshirë SHISH-in dhe Kuvendin

Të paktën gjashtë institucione kanë rënë pre nga një sulm kibernetik gjatë muajit mars duke u shkaktuar dhe ndërprerje të përkohshme të shërbimeve.

Policia thotë se nga hetimet ka rezultuar se autor është një 15 vjeçar nga Vlora, i cili është tashmë nën procedim.

Burimet kanë shtuar se talenti është i spektrit autik, ndërsa zyrtarisht shtohet se ka vepruar i vetëm.

Po ashtu burimet shtojnë se ai ka tentuar të hyjë dhe në sistemin e Kuvendit dhe SHISH, por pa arritur të thyejë barrierën mbrojtëse.

Megjithatë gjatë veprimtarisë i mituri nuk ka shkarkuar apo fshirë materiale edhe pse ka mundur të ketë akses edhe në e-maile.

Madje në deklaratë shtohet se nuk janë cenuar materialet e cilësuara konfidenciale. Gjatë operacionit u sekuestruan 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron.

Operacioni vjen vetëm një ditë pasi edhe SPAK bëri të ditur një ngjarje të ngjashme kur ishin hakeruar e-maile e disa prokurorëve.

Por në këtë rast të fundit autorët kishin marrë material që më pas ishin shpërndarë te persona të tjerë.

Dy persona u arrestuan për këtë veprim ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse kanë të bëjnë me grup kriminal.

Njoftimi DVP Vlorë

Finalizohet operacioni “The Accountant”, goditet një rast i ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike të disa institucioneve shtetërore.

Identifikohet, pas një hetimi 1-mujor me metoda speciale, dhe vihet në hetim një i mitur si autor i dyshuar.

Sektori i Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, Dega Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “The Accountant”.

Ky operacion u zhvillua pas një hetimi intensiv njëmujor, të ndjekur me metoda speciale hetimi, në kuadër të goditjes së krimeve kibernetike.

Si rezultat i hetimeve, u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e një shtetasi të mitur 15 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore (email-e dhe faqe zyrtare), duke shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të tyre për periudha të caktuara kohore.

Nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar vjedhje të të dhënave apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme.

Gjatë operacionit u sekuestruan disa pajisje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të thelluara teknike, konkretisht: 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.