Përgjimet e burgut, Koka: Panorama e parë është ajo e një mafiozi, por Erion Veliaj e ka humbur kohën e tij dhe tani përballet me drejtësinë
Gazetari Bledian Koka, i ftuar në edicionin informative të mesditës në Syri TV, u shpreh se situata aktuale e mediave në Shqipëri është gjithnjë e më shumë nën kontrollin e pushtetit dhe individëve me interesa të ngushta politike, duke përfshirë këtu kryebashkiakun Erion Veliaj.
Koka theksoi se Veliaj, gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Tiranës, ka ndërtuar lidhje të ngushta me disa media, të cilat janë përdorur për të mbajtur kontrollin mbi informacionin dhe për të promovuar agjendën e tij.
Ai theksoi se kjo situatë është një pasqyrë e mënyrës se si politika dhe pushteti ndikojnë në mediat shqiptare, duke i shndërruar ato në mjete për të shërbyer interesave të ngushta dhe jo për të informuar qytetarët në mënyrë objektive.
Koka shtoi se ky lloj kontrolli mbi median është dëmtues për demokracinë dhe lirinë e shtypit, pasi media duhet të shërbejë si një forcë mbikëqyrëse dhe kritike ndaj pushtetit, e jo si një vegël që i shërben politikës.
Ai u shpreh se, përmes lidhjeve të tij me disa gazetarë dhe media të caktuara, Veliaj ka mundur të ndikojë në mënyrën se si trajtohen çështjet e rëndësishme për qytetarët, duke manipuluar informacionin dhe duke shmangur transparencën.
Bledian Koka: "Pa diskutim që panorama e parë është ajo e një mafiozi që ka qenë kryetar i bashkisë Tiranë. Theksoj "ka qenë", por ai vazhdon akoma të jetë, edhe pse duhet të jetë aty ku e ka vendin, në burg.
Ky person ka shpërthyer të gjithë mekanizmin e tij mafioz të kontrollit, duke pasur lidhje me disa media të caktuara, të cilat ai i përdor për të thënë ato që i përshtaten interesave të tij.
Kjo nuk është një habi e madhe, sepse tregon se si media në Shqipëri, në pjesën dërrmuese të saj, veprojnë kështu. Hiqni Syrin dhe MCN, të cilat pandehuri vetë i kishte përmendur.
Sot, shpërfaqet edhe pala tjetër, po të themi palacërimi i këtyre mediave dhe të këtij njeriu që, duke përdorur miliona nga korrupsioni i tij në Bashkinë e Tiranës, jo vetëm që ka zaptuar mediat, por ka bërë gjithçka për t’i kontrolluar ato.
Ky njeri, që ka pasur tre mandate si kryebashkiak, nuk ka bërë kurrë një konferencë për media, nuk ka pranuar kurrë pyetje nga gazetarët dhe nuk u është përgjigjur interesave të mediave që kanë pasur të bëjnë me punën e tij të përditshme.
Ai ka mbetur i braktisur nga këto media, sepse po na vijnë informacione të tilla.
Realisht, raporti që ky ka ndërtuar me këto media nuk ka qenë një raport normal i një qytetari apo drejtuesi të një institucioni, por i një pronari faktik që i mbante dhe i shantazhonte me para.
Sigurisht, aty janë emra të njohur: Mero Baze, Carlo Bollino, Mira Kazhani, të cilët janë njerëz të Erion Veliajt, që kanë shërbyer aty dhe tani po mundohen t’i bëjnë edhe shërbimin e fundit.
Në këtë pikë, ajo që po mundemi të shohim është një raport okult. Ai është i shkatërruar dhe nuk di sa hyn në kuadrin e kundravajtjes penale.
Këto përgjigje po i them edhe një herë, dhe ajo që u publikua në nisje të publikimit nga portali në fjalë, flet për frustracionet që ka një njeri, i cili e ka humbur kohën e tij dhe tani përballet me drejtësinë.
Ky njeri tregon se si ka funksionuar dhe se si mund të funksionojë edhe brenda burgut. Derisa ky lloj raporti nuk provon korrupsionin e këtyre mediave, ajo që kam parë, unë e gjej të vështirë të gjej një ngarkesë penale".



