Manastirliu: Mbi 20 mijë mësues përfitojnë trajnim falas në universitetet publike

Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës kanë nisur trajnimet për mësues të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nga Tirana, Kamza, Vora, Rrogozhina dhe Kavaja.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu mori pjesë në një prej seancave të trajnimit në këtë universitet.

“Mbi 20 mijë mësues do të përfitojnë trajnim falas në universitetet publike në të gjithë vendin, falë një prej programeve më ambicioze për rritjen e kapaciteteve të mësimdhënies, me fokus në teknologji dhe përgatitjen për testimet ndërkombëtare si PISA dhe PIRLS”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “kemi përfshirë marrëdhënien me universitetet publike si një marrëdhënie që do të jetë e qëndrueshme. Pra financim i buxhetit të shtetit duke mbështetur një prej prioriteteve më strategjike tona të sistemit arsimor që është zhvillimi i burimeve njerëzore, pikërisht edukimi dhe trajnimi profesional i mësuesve sidomos me sfidat e kohës ku mësuesit duhet të zotërojnë metodat më efektive të mësimdhënies për të përmirësuar jo vetëm aftësitë e tyre, por edhe të nxënësve”.

Një prej mësueseve tha se “testohemi çdo ditë nga nxënësit, prindërit e komuniteti. Zhvillimi profesional do të ndikojë patjetër në ofrimin e një arsimi cilësor”.

Rektori Hoxha tha se “jemi të kënaqur që jemi pjesë e këtij procesi, që i përcaktojmë rëndësi të posaçme trajnimit, i cili për këdo profesionist është i domosdoshëm”.

MAS është angazhuar që plani i zhvillimit profesional të mësuesve dhe gjithashtu modelet e testeve të PISA-s të jenë pjesë e programit të trajnimit, duke i ndihmuar mësuesit të përgatisin më mirë nxënësit për sfidat globale.

Ky program është pjesë e një strategjie afatgjatë për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri, me qëllim që çdo mësues të pajiset me njohuritë dhe aftësitë më të mira për të rritur suksesin e nxënësve në përputhje me standardet evropiane.

Për trajnimet e mësuesve po kontribuojnë me asistencën e tyre pedagogë nga 7 universitetet publike të vendit, të cilat janë të njohura për kontributin e tyre në formimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Gjirokastrës dhe Universiteti i Shkodrës.