''Rama të merret me bretkosa e zhaba'', Berisha: 'E-albania' si telefon i prishur, do rikthejmë zyrat e informacionit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj kryeministrit Rama, i cili krahason atë me bufin e kënetës.
Gjatë takimit me banorët në Baldushk, Berisha tha se “le të merret me bretkosa dhe zhaba, pasi ai mendon se kështu i bën njerëzit të harrojnë për vjedhjet e qeverisë”.
“Ta lëmë atë të merret me bretkosa e zhaba, pasi ai mendon se kështu bëhet interesante, dhe mendon se i bën njerëzit të harrojnë se çfarë detyrimi ka qeveria ndaj tyre, çfarë vjedhje kanë bërë.
Ai e ka qëllim këtë. Nuk takon më asnjë gazetar, i shpik ata dhe u përgjigjet si e si të largojë interesin tuaj”, tha Berisha.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që të votojnë numrin 1 më 11 maj, pasi vetëm kështu mund të ndryshohet Shqipëria.
“Kam besim se më 11 maj do të votoni 1-shin. 1-shi është pothuajse hyjnor, duke votuar 1 votoni për ndryshimin dhe për veten tuaj”, u shpreh kryedemokrati.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha premtoi gjithashtu edhe rikthimin e zyrave të informacionit, pasi sipas tij platforma e-albania nuk funksionon.
Gjatë një takimi me banorët në Baldushk, Berisha tha se e-albania është bërë si një telefon i prishur që nuk të jep asnjë shërbim.
Ai tha se kjo platformë do të modernizohet, por edhe zyrat e informacionit do të jenë prezente për qytetarët.
“Sot kanë hequr qindra punonjës që kanë qenë në zyra për të informuar, për të orientuar qytetarët, gjoja me e-albania.
E-Albania është bërë si telefon i prishur, një telefon që nuk bie kurrë. Bjeri sa të duash, kliko aty, por ajo të plas shpirtin dhe nuk të jep shërbimin.
Ne do të rikthejmë zyrat e informacionit, zyrat e takimit me qytetarët, zyrat e informacionit në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimit dhe informacionet që duan.
Ky i zhduku këto dhe preu cdo lidhje me qytetarin. Klikimi në e-albania të do shumë kohë, ose nuk përgjigjet fare. E-albania do të modernizohet, por pavarësisht kësaj ne do të hapim zyrat e pritjes për qytetarët”, tha kryetari i PD-së.
