Shuhet Dhionis Robert Kotmilo! Ish-kryebashkiaku i Korçës që jetoi në varfëri pas karrierës politike
Ish-kryebashkiaku i Korçës, Dhionis Robert Kotmilo, u nda nga jeta në moshën 83 vjeçare.
Ai drejtoi Bashkinë e Korçës nga viti 1996 deri në vitin 2000, gjatë së cilës periudhë qyteti u përball me sfida të shumta, përfshirë trazirat e vitit 1997.
Pas përfundimit të mandatit, Kotmilo vendosi të mos kandidojë më dhe u tërhoq nga politika, duke u fokusuar në jetën private.
Përpara angazhimit në politikë, Kotmilo kishte një karrierë të gjatë si kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Frigoriferëve të Korçës, ku punoi për 29 vjet.
Gjithashtu, ai shërbeu si kryetar i Këshillit Bashkiak të Korçës për katër vjet. Në qytetin e Korçës, ai njihej për ndershmërinë dhe përkushtimin e tij, duke u shprehur se "Robert Kotmilo as portën e vjetër të shtëpisë së tij nuk e ndërroi sa ishte kryetar bashkie".
Vitet e fundit të jetës, Kotmilo i kaloi në kushte modeste. Ai jetonte i vetëm në banesën e tij të vjetër dhe ushqimin e siguronte nga një fondacion në qytet.
Pavarësisht pozitave të larta që ka mbajtur, ai nuk arriti të grumbullonte pasuri materiale, duke theksuar se drejtuesit duhet të shmangin ambiciet për pasuri personale për të ruajtur integritetin dhe shmangur korrupsionin.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Kotmilos ka trishtuar shumë qytetarë të Korçës dhe ata që e njohën për kontributin e tij në zhvillimin e qytetit dhe përkushtimin ndaj komunitetit.

