Masat për integritetin e procesit zgjedhor, kreu i misionit të OSBE-së takim me Celibashin

Delegacioni i misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, i kryesuar nga ambasadori Lamberto Zanier zhvilloi sot një takim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një postim në rrjetet sociale bëri me dije se gjatë takimit prezantoi një tablo të plotë të përgatitjeve për zgjedhjet e 11 majit 2025, procesin e regjistrimit dhe ecurinë e procesit të votimit nga jashtë dhe adresoi të gjitha çështjet me interes për ekipin e Zanier.

Sipas Celibashit, diskutimi u fokusua edhe te masat për të garantuar integritetin e procesit dhe transparencën e administrimit zgjedhor.

“Informuam me hollësi mbi përpjekjet institucionale bashkë me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të luftuar krimet zgjedhore dhe shmangien e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë”, shkruan Celibashi.

Në vijim, misioni i Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zhvilloi takime edhe me trupat e tjera të KQZ-së, përfshirë Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, për të siguruar një vëzhgim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor.

KQZ, nënvizoi Celibashi, “mbetet e angazhuar për një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm”.