Rama në kantierin e qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët: Konsiderohet më e madhja në Ballkan
Fëmijët e kryeqytetit do të kenë së shpejti Qendrën e re Kombëtare të Kulturës pranë Liqenit Artificial të Tiranës, që do të jetë një pol kulturor shumëfunksional për fëmijë.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja inspektuan punimet që po kryhen në këtë qendër me sipërfaqe 5500 m2.
Rama tha se kjo qendër do të jetë një institucion i vërtetë arti e konsideruar si më e madhja në Ballkan.
“Kjo qendër do të ofrojë kushte optimale për aktivitete social-kulturore, zhvillimin e kurseve mbi artet skenike e pamore të tilla si klasa aktrimi, baleti e kërcimi, muzike, pikture e skulpture e arteve digjitale”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “përmes kësaj infrastrukture të re, qytetit do t’i shtohet një skenë e dyfishtë, brenda godinës, si dhe jashtë saj në trajtën e një amfiteatri të hapur në natyrë”.
“Kjo qendër do mësues të të gjithë kategorive, të arteve të bukura, të skenës, do njerëz të dedikuar dhe mirëpaguar.
Është qendër evropiane, Ballkani nuk ka si kjo edhe duhet që tani të fillojmë kontaktet me qendrat simotra, kam folur me suedezë, spanjollë.
Duhet të ketë edhe program ndërkombëtar, nuk mbahet dot vetëm me program vendas”, nënvizoi Rama.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Gonxhja tha se “është një sipërfaqe e jashtëzakonshme shumëmultidimensionale. Projekti është shumë interesant, por edhe shumë sfidues”.
Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të ketë një sipërfaqe e shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore, ku përfshihen sipërfaqe skenike, performuese, klasa aktrimi, kërcimi, muzikë, pikturë, skulpturë etj, si dhe ambiente ndihmëse për sallën e teatrit, punishte për skenografinë, kostumografinë, krijimin e kukullave, gardërobë, ambiente teknike, zyra për administratën, kafe/restorant.
Qendra do jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grup moshave 3-12 vjeç.
Projekti do të shtrihet në 2 vite, duke filluar zbatimin nga 2023, dhe do të kushtojë rreth 1 miliard lekë. Projekti parashikohet të mbulohet i gjithi nga fondet e buxhetit të shtetit.
Projektuesi i qendrës është BOE iRi Studio shpk, XDGA shpk, Sphaera shpk, ndërsa zbatues BOE 2T shpk, RGR Group shpk, BE-IS shpk, Kaexhi shpk. Si kompani mbikëqyrëse është zgjedhur HE-SK11 shpk.
