Kupa mbetet objektivi i vetëm i Milanit
Ai është një nga golashënuesit e Milanit, edhe pse nuk është sulmues.
Tijani Reijnders është gjithashtu një nga liderët e kuqezinjve dhe si i tillë ka marrë përgjegjësinë për të folur me mediat pas ndeshjes me Napolin.
Duke u fokusuar në humbjen e pësuar në stadiumin “Maradona” në mbrëmjen e së dielës, holandezi deklaroi: “Mënyra se si e vumë nën presion Napolin, na e bëri më të lehtë të dilnim dhe të krijonim raste të tilla.
Në pjesën e dytë, treguam më pak frikë me topin, ishim më të qetë kur kishim zotërimin dhe krijuam raste, por fatkeqësisht nuk arritëm të shënonim më shumë”.
Nga ana e 26- vjeçarit, nuk mund të mungonte edhe një koment për sfidën e dyfishtë të Kupës së Italisë kundër Interit, që do të luajë aktin e saj të parë nesër në mbrëmje.
“Kupa është shumë e rëndësishme, sepse na jepet mundësia për të fituar një tjetër trofe këtë sezon.
Duhet të rikuperohemi mirë dhe të mbajmë kokën lart, edhe pse nuk është e lehtë në situatën në të cilën ndodhemi.
Por duhet të jemi në gjendje të gjejmë besim veçanërisht për atë sfidë.
Ne jemi Milani dhe do të dëshironim gjithmonë të luanim në Ligën e Kampioneve. Nuk ka qenë një sezon i lehtë, por ne duhet të qëndrojmë të fokusuar”, përfundoi Reijnders.
