Katër arsyet që Ancelotti të largohet nga Reali

Për një kohë të gjatë, Carlo Ancelotti ka qenë i gatshëm sa i përket dëshirës së tij për të vazhduar si trajner i Real Madridit, edhe pse e ardhmja e tij në “Santiago Bernabeu” është e dyshimtë.

Tekniku italian është lidhur me një largim të mundshëm nga kryeqyteti spanjoll prej kohësh, por gjithmonë ka qenë i vendosur për të qëndruar në klub deri në përmbushje të kontratës.

Sidoqoftë, një raportim i ri nga “The Athletic” sugjeron se Ancelotti po e diskuton të ardhmen e tij te Real Madridi. 

Raporti përmend disa faktorë të ndryshëm të cilët po thuhet se kanë ndikim në mendjen e italianit.

Ancelotti thuhet se është në dijeni për bisedimet mes Real Madridit dhe Xabi Alonsos për të marrë drejtimin në të ardhmen e afërt. 

Ndër të tjera, besohet se Ancelotti po ndihet i konsumuar nga këto katër vite sa ka qenë në krye të Real Madridit. 

Për më shumë, djali dhe asistenti i tij, Davide Ancelotti, ka vendosur të largohet nga Real Madridi në fund të sezonit. 

Ky vendim, në rast se zbatohet, do të ishte një goditje e madhe për Carlo Ancelottin, ndoshta duke e detyruar të largohet nga Spanja. 

Një tjetër arsye ka të bëjë me lajmet që po qarkullojnë mbi të ardhmen e tij, për të cilat Ancelotti dyshon se po i bën dikush nga klubi. 

Duke pasur të gjitha këto në mendje mes interesimit nga kombëtarja e Brazilit që është e interesuar për Ancelottin, me gjasë ky do të jetë sezoni i tij i fundit si trajner i madrilenëve.