SFIDAT E F1/ Verstappen duhet të dëshmojë se është kampion, Ferrari tenton podiumin pas 21 vitesh në pistën e Japonisë
Max Verstappen përgatitet për një sfidë të fortë në pistën e Suzukës, ku kërcënimi "papaya" nga skuadra McLaren nuk e lë të qetë as pilotin.
Katër herë kampioni i botës duhet të përdorë gjithë talentin dhe eksperiencën e tij për të vazhduar serinë fituese në Japoni, e cila zgjat prej vitit 2022, pas rikthimit të Suzukës në kalendarin e Formula 1.
Në këtë garë, Verstappen dhe skuadra e tij Red Bull, me një livrea speciale Honda për makinën RB21, do të përballen me konkurrencën e fortë nga McLaren, që dominoi dy garat e para të sezonit me Lando Norris lideri aktual i kampionatit dhe shokun e tij Oscar Piastri, duke fituar në Melburn dhe Shangai.
McLaren, tashmë favorite, synon të lërë pas Mercedes, Red Bull dhe Ferrarin, të cilat renditen në këtë radhë edhe në klasifikimin për konstruktorë.
Ferrari, që ka plot 21 vite pa fituar në Japoni, e fundit me Michael Schumacher në vitin 2004, i mbetet vetëm shpresa te performanca e jashtëzakonshme e Leëis Hamilton në këtë pistë, ku britaniku ka fituar pesë herë: katër herë me Mercedes dhe një herë në sezonin e tij debutues me McLaren në 2007.
Suzuka mbetet një pistë teknike dhe sfiduese, që shpesh ka nxjerrë në pah makinën më të shpejtë dhe më të kompletuar, siç dëshmojnë ciklet fituese historike të Ferrarit, Red Bull-it të Sebastian Vettel dhe Mercedesit, si dhe sukseset më të fundit të Verstappen.
Ky Çmim i Madh mund të jetë një moment kyç në rivalitetin brenda McLaren mes Norris dhe Piastrit, por historia e Suzukës është e mbushur gjithashtu me episode kontroverse dhe kushte ekstreme, duke kujtuar përballjet e famshme Senna-Prost nga fundi i viteve '80 dhe fillimi i viteve '90.

