Reijnders 'harron' Napolin, fokusohet te derbi i Kupës së Italisë: Duhet ta mbajmë kokën lart
Humbje e rëndë për Milanin. Skuadra e Sergio Conceição pësoi një tjetër disfatë, këtë herë ndaj Napolit të drejtuar nga Antonio Conte. Një 2-1 kundër napolitanëve që i largon edhe më shumë kuqezinjtë nga zona që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Pas përfundimit të ndeshjes në "Maradona", Tijjani Reijnders foli për “Milan TV”: "Mënyra se si e ushtruam presionin ndaj Napolit e bëri të lehtë për ta daljen nga zona dhe krijimin e rasteve të tilla. Në pjesën e dytë treguam më pak frikë me topin, ishim më të qetë kur e kishim topin në zotërim, krijuam disa raste, por fatkeqësisht nuk arritëm të shënojmë më shumë".
Mesfushori holandez më pas u përqendrua te derbi i së mërkurës, që vlen për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë: "Është shumë e rëndësishme, sepse shërben si mundësi për të fituar një tjetër trofe këtë sezon. Duhet të rikuperohemi mirë dhe ta mbajmë kokën lart, edhe pse nuk është e lehtë në situatën ku ndodhemi. Sidoqoftë duhet të gjejmë besimin e duhur, veçanërisht për këtë përballje".

