Blushi: Do mbështesim bujqësinë me 30 miliard lekë çdo vit, 10 mijë euro grant për çdo biznes të ri bujqësor familjar

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi në një deklaratë për mediat u shpreh se PL do mbështesë bujqësinë me 30 miliard lekë çdo vit, 10 mijë euro grant për çdo biznes të ri bujqësor familjar e përjashtim nga taksat për 5 vite.

Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi

Sektori prodhues në vendin tonë ka hyrë në një fazë të rëndë recensioni.

Të dhënat e fundit të institutit të statistikave të Edi Ramës, INSTAT tregojnë se bujqësia ra për të katërtin vit radhazi në 2024 me minus 1.1%, ndërkohë që kontributi i këtij sektori jetik për ekonominë e vendit shënoi rënie me 4%.

Tanimë edhe të dhënat zyrtare janë të detyruara të pohojnë se bujqësia ka hyrë në trajktoren e rënies së lirë për shkak të përgjysmimit të numrit të krerëve që ka përgjysmuar edhe fermat blegtorale duke sjellë për pasojë falimentimin e mijëra fermerëve shqiptarë, që detyrohen të braktisin vendin.

Ndikim tepër negativ në përkeqësimin e kësaj situate dramatike për fermerin shqiptar ka edhe skema e dështuar kombëtare e financimit të bujqësisë, për shkak se 70% e ndihmës shkon për shpenzime operacionale dhe vetëm 30% e fondit të akorduar nga Qeveria është investim që shton prodhimin.

Nuk ka një vend të dytë në rajon dhe në kontinent që shumëzon me zero bujqësinë, degën kryesore të ekonomisë në vend, që zë gati një të pestën e ekonomisë kombëtare dhe kontribuon me rreth 35% në punësim.

Nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur Qeveria, me buxhetin më të madh në historinë e vendit, akordon për fermerët shqiptarë vetëm 44 milion euro dhe kur ndërkohë vetëm me aferën e tunelit të Llogarasë zhvat 50 milion euro, sipas dëshmisë së ish-krahut të djathtë të Edi Ramës për ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Edi Rama në 12 vite provoi se është armiku më i egër i fermerit shqiptar sepse jep dhjetëra herë më pak subvencione se sa në Kosovë dhe favorizon qëllimisht importuesit në dëm të prodhimeve “Made in Albania”, duke goditur rëndë fermerin shqiptar, që detyrohet sot të ushqehet edhe vetë me produkte importi.

Sikur të mos mjaftonte nënfinancimi në ekstrem i bujqësisë nga Buxheti i Shtetit, duke e renditur vendin të fundit në rajon dhe Europë dhe sidomos me një diferencë skandaloze të mbështetjes krahasuar me fqinjët, tani bujqësisë se rrënuar në mbijetesë i është ndërprerë edhe ndihma financiare nga Bashkimi Europian.

Shqipëria po shpopullohet sepse ndonëse 400 mijë qytetarë të ndershëm punojnë në bujqësi, Qeveria na ka renditur sot i vetmi vend i rajonit ku fondet e IPARD janë bllokuar për shkak të tjetërsimit të tyre te bizneset e lidhura me inceneratorët që nuk ekzistojnë.

Bujqësia po falimenton sepse kultivimi i produkteve bujqësore has në vështirësi të mëdha nga rritja abuzive dhe e qëllimshme e kostove të lëndëve të para.

Çmimet e inputeve bujqësore janë rritur nga 50 në 100 për qind duke bërë që sipërfaqet e mbjella në sera të reduktohen ndjeshëm.

Shpopullimi i vendit ka ecur paralelisht me përgjysmimin e numrit të krerëve, aq sa fermat e vogla blegtorale me 1 deri në tre krerë po zhduken me shpejtësi.


Ndaj më 11 Maj vota për koalicionin fitues “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është votë për mbështetjen konkrete me pagesa direkte për bujqësinë dhe fermerin shqiptar, me subvencione për çdo kokë lopë, dele e dhi, si dhe për çdo hektar të mbjellë me perime, pemishte dhe ullinj.

Ne do të mbështesim bujqësinë me 30 miliard lekë çdo vit dhe me indeksim progresiv në vitet në vazhdim.

Mbështetja e blegtorisë do të realizohet me pagesa direkte për krerë dhe njësi prodhimi, për të 4-fishuar numrin e krerëve, shpendëve dhe prodhimin vendas.

Vota më 11 Maj për koalicionin fitues “PD-Alanca për Shqipërisë Madhështore” është votë për të garantuar pagesë grant të menjëhershme prej 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor familjar të krijuar dhe përjashtim të tij nga taksat e tatimet për 5 vite.

Koha e shkatërrimit të prodhimit vendas dhe hedhjes në kanal të djersës të fermerëve shqiptarë i ka ditët e numëruara.

Të votojmë më 11 Maj për rritjen e mirëqenies së fermerit shqiptar, për Shqipërinë fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon, që është Shqipëria Madhështore që meritojnë të gjithë shqiptarët e sidomos fermerët e ndershëm e duarartë.

Faleminderit!