Konfirmohet dëmtimi i rëndë, mesfushori i Barcelonës humb sezonin
Marc Casadó do të duhet të qëndrojë jashtë për dy muaj për shkak të një dëmtimi të pjesshëm të ligamenteve të gjurit të djathtë. Këtë e njoftoi Barcelona të martën me një komunikatë zyrtare:
"Këtë mëngjes janë kryer teste të mëtejshme te lojtari i ekipit të parë, Marc Casadó, dhe është konfirmuar se ai ka pësuar një dëmtim të pjesshëm të ligamenteve të gjurit të djathtë.
Lojtari do të vazhdojë me trajtimin konservativ dhe pritet të qëndrojë jashtë për rreth dy muaj," thuhet në raportin mjekësor të klubit blaugrana.
Casadó arriti të shmangë operacionin dhe do të ndjekë një trajtim konservativ.
Po të ishte dëmtimi i plotë dhe të kishte prekur gjithashtu meniskun, shumë mundësi do të ishte dashur ndërhyrja kirurgjikale.
Përveç ndonjë ndryshimi të papritur, mesfushori i ri do të humbasë pothuajse gjithë pjesën tjetër të sezonit; në një skenar shumë pozitiv, ai mund të jetë në dispozicion për një finale të mundshme të Ligës së Kampionëve, e cila do të luhet më 31 maj, ose për javët e fundit të kampionatit.
Dëmtimi i Casadó u bë i njohur dje, kur ai nuk ishte më pjesë e listës së grumbullimeve të Luis de la Fuente për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Holandës.
Edhe pse koha e rikuperimit nuk është shumë e gjatë, kjo është një goditje e rëndë për lojtarin, i cili u lëndua në një përplasje me Griezmann në pjesën e parë të ndeshjes të së dielës mes Atleticos dhe Barcelonës.
Ai vazhdoi të luante deri në minutën e 67-të, kur u zëvendësua nga Eric Garcia.
