Milan, Gimenez flet nga grumbullimi: Moment i vështirë, por po jetoj një ëndërr

Santiago Gimenez, sulmues i Milanit, ka folur drejtpërdrejt nga grumbullimi i Meksikës për Azteca TV Deportes, duke përshkruar kështu periudhën që po kalon në Itali:

"Kur mbërrita te kuqezinjtë, e kuptova madhështinë e klubit, edhe pse e ndieja edhe nga jashtë.

Por nga brenda e ndien dyfish, është gjigant. Nuk po kalojmë një moment të mirë, por më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po jetoj një ëndërr, dua të jem një shembull për të treguar se me Zotin gjithçka është e mundur. Po jetoj të tashmen, po shijoj çdo sekondë."

Si po përshtatesh në Milano?

"Si me çdo ndryshim, muaji i parë ishte pak i vështirë: ka shumë gjëra të reja, rrugë të reja, gjithçka është e re, përfshirë edhe gjuhën, natyrisht.

Por, dalëngadalë, po përshtatem. Bashkëshortja ime më ka ndihmuar shumë dhe më ka lënë të përqendrohem kryesisht te futbolli."