Pochettino: Largimi nga Chelsea? Vendimi më i mirë, do të më pëlqente...
Mauricio Pochettino ka dhënë një intervistë të gjatë për Sky Sports UK, ku ka folur edhe për largimin e tij nga Chelsea:
"Mendoj se kur diçka nuk funksionon, është gjithmonë më mirë të ndalosh dhe të shikosh opsione të tjera.
Besoj se ishte vendimi më i mirë për të dyja palët, pritëm mundësi të reja dhe ato u shfaqën."
Pse zgjodhi të drejtojë SHBA-në?
"Ndoshta nuk është e lehtë për njerëzit të kuptojnë arsyen. Mendoj se të jesh trajneri i SHBA-së në prag të Kupës së Botës 2026 ishte një mundësi e madhe për ne.
Pas shumë vitesh duke punuar në klube, ishte koha për të sfiduar veten, për të zbuluar dhe mësuar gjëra të reja.
Ishte një mundësi fantastike dhe për këtë arsye filluam ta shqyrtonim. Kur erdhi oferta, mendoj se ishte e lehtë të pranonim."
Eksperienca e Kupës së Botës...
"Mendoj se të presësh Kupën e Botës është një përvojë e jashtëzakonshme. Dalin në pah shumë gjëra të bukura dhe natyrisht, një nga arsyet pse pranova këtë post ishte pikërisht kjo.
Botërori është afër, nuk më duhet të pres edhe katër vite. Jam shumë i emocionuar dhe po e shijoj shumë këtë sfidë, edhe pse është një punë krejtësisht ndryshe nga e kaluara ime. Është një botë e re, por po e shijojmë situatën."
Pse nuk u bëtë trajner i Anglisë?
"Gjithmonë është çështje kohe. Ish-presidenti im, Daniel Levy, gjithmonë thoshte kështu: ‘Futbolli është një çështje kohe’. Është një privilegj të jesh trajner i Anglisë, por ndonjëherë koha nuk përputhet – kur je i disponueshëm, kjo mundësi mund të zhduket."
Marrëdhënia me Levy dhe kthimi te Tottenham...
"Ai është gjithmonë aty dhe do të jetë gjithmonë. Një gjë është marrëdhënia personale dhe një tjetër janë vendimet profesionale.
Është e vërtetë, pas gati gjashtë vitesh dhe gjithë përvojës sonë të përbashkët, ishte e vështirë të largoheshim, por u ndamë në mënyrën më të mirë.
Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Kam thënë gjithmonë se një ditë do të më pëlqente të kthehesha te Tottenhami dhe kjo dëshirë nuk ka ndryshuar as pas gjashtë vitesh. E ndiej ende në zemër se, po, do të më pëlqente të kthehesha një ditë."
