Kthimi te Belgjika, Courtois: Kam bërë gabime, por Tedesco s’erdhi kurrë të më takonte

I rikthyer në listën e të grumbulluarve të Belgjikës pas gati dy vitesh nga dorëheqja e tij nga kombëtarja, Thibaut Courtois sqaroi situatën në një konferencë për shtypin para dy ndeshjeve kundër Ukrainës në Ligën e Kombeve.

Portieri i Real Madridit zbuloi se, sapo mbërriti në qendrën stërvitore në Tubize, të hënën, foli para grupit dhe shpjegoi motivimin e tij për të ecur përpara.

"Ishte mirë të flisja para lojtarëve, në mënyrë që gjithçka të bëhej e qartë, sepse janë thënë shumë gjëra të pavërteta.

Nuk do të flasim më për këtë, ndihem i lehtësuar," – tha ai fillimisht.

Courtois gjithashtu pranoi se ishte penduar për largimin e papritur nga skuadra gjatë grumbullimit të qershorit 2023:

"Kam bërë gabime. Nuk ka dyshim se psikologjikisht po kaloja një periudhë të vështirë pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, i shoqëruar me lëndime.

Ndjeva se kishte probleme me trajnerin."

Marrëdhënia e tensionuar me ish-trajnerin Tedesco

Megjithatë, ai shpjegoi se marrëdhënia e tij me Domenico Tedesco-n, i cili është zëvendësuar nga Rudi Garcia, nuk ishte e favorshme për skuadrën:

"Nuk ndjeva asnjë respekt. Trajneri nuk më erdhi kurrë të më takonte.

Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në 16 vite karrierë. Në atë moment, shpërtheva, nuk e kuptova. Kam një mentalitet fituesi dhe nuk jam një karakter i lehtë..."