Inter, Marotta: Nuk flas për ‘Tripletën’. Rinovimi i Inzaghit? Janë të gjitha kushtet për të vazhduar
Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka folur për ‘Sky Sport’ në prag të një fundsezoni të nxehtë, ku zikaltrit janë ende në garë në të gjitha frontet – kryesojnë kampionatin, janë në çerekfinalet e Champions League kundër Bayernit dhe në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë kundër Milanit:
"Është një moment i lumtur, por me realizëm të shëndoshë e dimë se na presin edhe dy muaj të fundit të sezonit dhe më pas Kupa e Botës për Klube, që do të vazhdojë sezonin në një mënyrë të pazakontë.
Jemi protagonistë në të gjitha garat ku marrim pjesë dhe duam të jemi deri në fund.
Këtë e tregon historia jonë dhe meritat tona aktuale.
Trajneri ka bërë një punë të shkëlqyer, ashtu si lojtarët, ekipi dhe tifozët. Ka një atmosferë të duhur për të mbërritur në finish në kushtet më të mira."
A ju tremb roli i favoritëve? A mendoni për Tripletën?
"Nuk flas për ‘Tripletën’. Por flas për një ambient që duhet të jetë gjithmonë ambicioz. Ambicia nuk është arrogancë, por diçka që të shtyn të japësh maksimumin brenda mundësive të tua dhe në aspektin motivues.
Jemi mësuar të konkurrojmë edhe nën presion të madh, e rëndësishme është ta bëjmë këtë deri në fund. Nëse të tjerët do të jenë më të mirë se ne, do t’i respektojmë."
A ka mundësi për rinovimin e Simone Inzaghit?
"Kemi vepruar gjithmonë me qetësi. Janë të gjitha kushtet për ta imagjinuar vazhdimin e tij me ne. Rëndësi ka harmonia që është krijuar, ka bazat më të mira për t’u ulur në tryezë dhe për të diskutuar.
Me Inzaghin, të gjithë kemi bërë hapa përpara dhe jemi ende në një cikël që nuk ka përfunduar.
Ka një shoqëri të re që ka sjellë energji të reja, është çështja e stadiumit të ri... Pra, ekzistojnë të gjitha kushtet për të vazhduar së bashku."
A do të fokusohet Interi te lojtarët e rinj duke ruajtur konkurrencën e lartë?
"Duhet të jemi të adaptueshëm dhe të kuptojmë momentin historik në Itali. Klubet duhet të formësohen sipas një modeli social-ekonomik të futbollit europian.
Nuk kemi mundësinë të shpenzojmë shumë për një lojtar të vetëm, prandaj duhet të jemi të aftë të ndërtojmë një ekip të fortë dhe konkurrues, por duke pasur gjithmonë si slogan ‘qëndrueshmërinë financiare’, një koncept që duhet arritur dhe mbështetur gjithmonë."
