Kandidati për burg! Apeli i GJKKO-së mban në agoni Erion Veliajn, vendimi do shpallet nesër
Apeli i GJKKO-së ka shtyrë përsëri shpalljen e vendimit për Erion Veliajn. Edhe pse prokurorët Dumani dhe Dado kanë dorëzuar prova ditën e djeshme ku theksojnë se Erion Veliaj është person me rrezikshmëri të lartë nëse lirohet, përsëri gjykata ka shtyrë dhënien e vendimit për ditën e nesërme , ne ora 10:00.
Kujtojmë se në provat e reja të prokurorisë është evidentuar fakti se Veliaj ka komunikuar me vëllain e tij, Arbërin, dhe e ka mësuar se si të çojë porosi në media të caktuara për të sulmuar e shantazhuar prokurorin Dado dhe gjyqtarin Bani.
Në diskutimet me dyer të mbyllura gjatë seancës gjyqësore në Apelin e GJKKO-së për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon lirimin nga qelia ku qëndron prej datës 10 Shkurt.
Kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen. Ai ka theksuar se ato nuk përbëjnë elemente të reja të ligjshme.
Veliaj kërkoi seancë me dyer të hapura. Veliaj është shprehur se përgjimet e bisedave të tij familjare, të cilat janë përdorur si prova, lidhen me intervistat e tij në media dhe interesimin për intervista në kanale televizive të rëndësishme.
Ai gjithashtu ka kritikuar faktin që SPAK nuk ka marrë parasysh sulmet publike të Sali Berishës ndaj drejtësisë së re si prova të reja, duke u fokusuar vetëm në telefonatat dhe mesazhet e tij personale me familjen.
“Unë i qëndroj çdo postimi të bërë në rrjetet sociale”, ka thënë ai.
ÇFARË NDODHI DJE?
Gjatë seancës së djeshme, Erion Veliaj dhe biznesmeni Elman Abule, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, kanë ofruar para dhe bllokim të pasaportave në këmbim të lirisë.
Dy avokatët e Erion Veliaj, Ermir Beta dhe Artur Selmani, kanë bërë parashtrimet dhe kanë deklaruar se masa e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn duhet të shfuqizohet, dhe se kryebashkiakut të Tiranës t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi për të ushtruar detyrën. Sipas tyre, Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo t’i dëmtojë ato si dhe as të intimidojë dëshmitarët.
Sa i përket biznesmenëve që janë me masën detyrim paraqitje, i pranishëm në seancën e sotme ka qenë vetëm Shkëlqim Fusha, ndërsa Gentian Sula dhe Meriman Palushi kishin dërguar avokatët. Mbrojtësit kërkuan heqjen e masave “detyrim paraqitjeje” ndaj biznesmenëve në fjalë.
Seanca nisi në orën 10:00 dhe zgjati për rreth 7 orë, e drejtuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Kujtojmë se në seancën e djeshme, shkoi për të marrë pjesë si vëzhgues edhe avokati amerikan Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane “Kasoëitz Benson Torres LLP”, e cila po këshillon kryebashkiakun Erion Veliaj, por nuk u lejua të futet.
Pas një hetimi 1 vjeçar të SPAK, mbi Erion Veliajn janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminal”.
Nën hetim është dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj së cilës, GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Fillimisht ndaj saj, ishte caktuar masa “Arrest në shtëpi”. Po ashtu, me msaë sigurie “detyrim paraqitje” janë dhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu.
Biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, 5 biznesmenët e tjerë Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.
Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.
Erion Veliaj pretendon se burgosja e tij është e paligjshme, teksa që prej 10 Shkurtit, ka sulmuar vazhdimisht magjistratët e çështjes së tij, prokurorin Ols Dado dhe gjyqtarin Erion Bani. Po ashtu, edhe Edi Rama ka sulmuar drejtësinë, duke mbajtur një qëndrim ndryshe nga ai që ka mbajtur me socialistët e tjerë që kanë patur probleme me drejtësinë.



