Rama dhe Sako në kantierin e dy unazave në Durrës: Do të zgjidhë problematikën e trafikut
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako dhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli kanë ndjekur sot nga afër punimet në kantierin e unazave në Durrës, dy projekte të rëndësishme infrastrukturore të cilat synojnë lehtësimin e trafikut dhe të përmirësojnë lidhjet rrugore brenda qytetit.
Kantieri i unazave të Durrësit është një tjetër projekt i rëndësishëm për qytetin, i cili synon jo vetëm lehtësimin e trafikut në qytet, por pritet të ketë një ndikim pozitiv edhe në zhvillimin e mëtejshëm të zonave ku kalon gjurma e projektit.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se: “Ky është projekti më i rëndësishëm që kemi pasur pasi kjo unazë do të zgjidhi dhe problematikën e trafikut që vitet e fundit është shtuar për arsye të turizmit dhe të dendësisë që ka gjithë qyteti i Durrësit. Është pak problem gjeologjia, por do të zgjidhet”.
Unaza do të jetë me katër korsi, dy në njërin drejtim dhe dy në drejtimin tjetër.
“Është akses i munguar dhe nga pikëpamja inxhinierike është sfidë se prandaj ka ngelur dhe kaq kohë pa u bërë”, tha Agolli, ndërsa vetë Kryeministri shtoi se, “mua më kujtohet kur bëmë ato skarpatat që donim t’i stabilizonim, ishte e vështirë. Megjithatë nuk ka gjë që nuk bëhet kështu që do bëhet dhe kjo”.
Projekti prek gjithë zonën e Kallmit e shkon deri në Spitallë, ndërkohë që aktiviteti i agroturizmave ka filluar të marrë jetë në këtë zonë.
