"Jepte porosi nga burgu"/ Saraçi: Veliaj urdhëroi të sulmohen oficerët e BKH! Janë përgjime të freskëta, qëndrimi i tij atje, vullnet i...

I ftuar në Syri TV, gazetari Romir Saraçi, foli mbi shtyrjen e seancës gjyqësore për Erion Veliaj ku theksoi se ditën e djeshme gjatë seancës janë bërë publike përgjime, porosi që Veliaj jepte nga qelia e tij për të atakuar dhe sulmuar prokurorë dhe oficerë të çështjes.

Saraçi tha se, ditët e fundit nga Erion Veliaj kemi parë një fushatë denigruese, për ata që po ndjekin çështjen e tij.

"Këto prova janë servirur gjykatës ditën e djeshme si një arsye shtesë që ai duhet të qëndrojë në qeli për shkak të shantazhit dhe kërcënimit që iu bë drejtësisë", u shpreh gazetari.

Gjithashtu ai theksoi se, Veliaj është arrestuar me vullnet të pastër politik nga kryeministri Edi Rama.

Romir Saraçi: "Nuk është veprim në minutat e fundit. Duket që puna ka qenë intensive nga ana e hetuesve, BKH, intensive jo se kanë bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por kanë bërë procedurën normale. Kësaj rradhe kanë bërë procedurën.

Bëhet fjalë për atë që kemi mësuar për nxjerrjen në seancë të disa provave të reja, në lidhje me disa përgjime të Erion Veliajt, të cilit, saktësisht kur ka një procedurë ligjore, është saktësisht procedurë normale. Unë habitem me palën tjetër, se si kryetari i Bashkisë së Tiranës, presupozohet me një formim të caktuar, gjithmonë me këshilltarë ligjorë dhe e di se çfarë ndodh nëpër institucione dhe ka folur kaq lirshëm në ambientet e qelisë apo në takime me familjarët. Janë përgjime të freskëta. Bëhet fjalë për porosi që jepte Veliaj nga qelia e burgut për të atakuar apo sulmuar prokurorët e çështjes, oficerët.

Ditët e fundit kemi parë një fushatë denigruese për prokurorin e çështjes, oficerët e BKH deri tek oficerët që edhe ne si gazetarë nuk e dinim që ishin të angazhuar në çështje dhe befas i shikonim në media të tjera paralele, në disa media të tjera tek individë të caktuar në rrjete sociale që atakoreshin deri në brez të shtatë. Nga ajo që kemi mësuar, është thënë në seancë se ka pasur urdhra nga Veliaj për të sulmuar oficerët e BKH dhe të gjithë personat e përfshirë në hetimin e tij. Këto prova janë servirur gjykatës ditën e djeshme si një arsye shtesë që ai duhet të qëndrojë në qeli për shkak të shantazhit dhe kërcënimit që iu bë drejtësisë. Dhe këto janë arsye, prova domethënëse që kryebashkiaku duhet të qëndrojë në qeli.

Është e qartë që Veliaj nuk do të lirohet, sepse Erion Veliajn nuk e ka futur në burg SPAK, në kuptimin se ai është institucion që do të bëjë procedurën, apo ata prokurorë u vendosën përpara provave dhe u lanë të lirë të vepronin për ta arrestuar apo për mos ta hetuar. Veliaj është arrestuar me vullnet të pastër politik nga kryeministri dhe lihet në qeli po nga ai.

Qëndrimi i Veliajt në burg është vullnet i Edi Ramës".