Rikonstruktohet qendra shëndetësore në Farkë të Madhe, Rama: Rilindëm 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca

Qendra Shëndetësore në Farkë të Madhe është një tjetër investim që i shtohet “zinxhirit” të 400 qendrave shëndetësore dhe ambulancave që janë rehabilituar deri tani në gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale imazhet e transformimit të kësaj qendre shëndetësore nga degradimi në të cilën gjendej në ambiente me kushte bashkëkohore.

“Qendra Shëndetësore në Farkë e Madhe. Rilindëm 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca, duke garantuar shërbime cilësore për 1.6 milionë qytetarë”, u shpreh Rama.

Qendra Shëndetësore në Farkë të Madhe ofron shërbim shëndetësor për rreth tre mijë banorë.

Në vijim të angazhimit të qeverisë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor, në gjithë vendin janë rehabilituar 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca. Vetëm në vitin 2023-2024 janë rehabilituar 60 qendra shëndetësore.