Bayern Munich në çerekfinale, Kompany euforik: Mezi po i pres dy përballjet ndaj Interit

Bayern Munich shënoi edhe dy gola të tjerë (me Kane dhe Davies) kundër Bayer Leverkusen dhe u kualifikua në çerekfinale pa shumë histori. Në këtë faze e pret Interi i Simone Inzaghit, i cili fitoi ndaj Feyenoordit.

Trajneri i bavarezëve, Vincent Kompany, foli pas ndeshjes për “Sky Sports”: "Djemtë treguan edhe një herë sa të uritur janë për sukses dhe çfarë duan të arrijnë. Ishte një natë e bukur, fituam dhe shkuam në raundin tjetër. Nga nesër, fokusi kthehet tek Union Berlin".

Çfarë ju pëlqeu më shumë nga kjo ndeshje?

Në pjesën e parë bëmë presionin tonë normal dhe krijuam dy ose tri raste të mira, në pjesën e dytë u desh të mbroheshim. Ata hodhën në fushë shumë lojtarë ofensivë, por ne u mbrojtëm mirë dhe mbetëm të rrezikshëm në kundërsulme. Kishim një ekuilibër të mirë.

E dimë çfarë cilësish kemi si grup dhe se Harry është një pikë e fortë e skuadrës sonë. Nuk shqetësohemi për çfarë thuhet jashtë. Brenda grupit është qetësi totale dhe nëse diçka nuk funksionon, thjesht vazhdojmë të punojmë për ndeshjen e radhës. Kemi cilësinë dhe mentalitetin e duhur.

Si e vlerësoni përballjen me Interin në çerekfinale?

Në fakt është diçka fantastike, por ende kemi disa ndeshje përpara. Detyra jonë si trajnerë është të përgatisim gjithmonë ndeshjen e radhës. Gjatë pushimit të kombëtareve do ta analizojmë kundërshtarin. Jemi në këtë kompeticion sepse duam të luajmë kundër më të mirëve dhe mezi po e presim këtë sfidë.