Inzaghi: Dëgjoj pak elozhe për këta lojtarë, kundër Bayernit do t'i luajmë shanset tona
Interi është mes tetë skuadrave më të mira të Europës, u kualifikua në çerekfinale të Champions League falë fitores së mbrëmshme 2-1 kundër Feyenoordit. Simone Inzaghi e festoi në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen e tij të 200-të si trajner i zikaltërve: "Jam krenar sepse na interesonte shumë kjo arritje. Djemtë ishin fantastikë. I mbush me elozhe, sepse e meritojnë, por për atë që po bëjmë dëgjoj shumë pak vlerësime, edhe pse ato nga tifozët tanë na mjaftojnë".
Në çerekfinale, Interi do të përballet me Bayern Munich: "Do të jetë një sfidë shumë e vështirë. I kam sfiduar edhe më parë bavarezët, si me Interin, ashtu edhe me Lazion, dhe e di që janë një skuadër solide, e mirëorganizuar. Sigurisht që do ta luajmë shanset tona, ashtu si kemi bërë deri tani".
Një shqetësim për Inzaghin janë mungesat: "Kur të vijë momenti i ndeshjes, shpresoj t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion. Më vjen keq për pezullimin e Asllanit dhe dëmtimin e Zielinskit".
Kundër Feyenoordit debutuan të rinjtë Cocchi dhe Berenbruch: "Ka një punë të madhe pas kësaj, akademia po bën një Champions të shkëlqyer dhe këta djem kanë cilësi të rëndësishme teknike. Jemi pak në numër, ndaj ata e dinë që duhet të na ndihmojnë".
Për arritjen e 200 ndeshjeve në stolin e Interit: "E di çfarë do të thotë të jesh trajner i kësaj skuadre. Kam pasur shumë gëzime dhe disa zhgënjime, por përpiqemi të nderojmë çdo ndeshje dhe çdo kompeticion për të mirën e klubit".
Për rritjen e tij si trajner: "Çdo ditë mësoj diçka të re. Në vitin tim të parë luftuam për titullin, fituam dy trofe dhe arritëm në 1/8 e Champions League. Kjo është një skuadër që e ka në ADN të jetë konkurruese në çdo garë, edhe pse kërkon shumë energji. Prandaj, këta djem duhen përqafuar. Unë e bëj, ashtu si edhe tifozët tanë".

