VIDEO/ Adriana Kalaja "çon" në SPAK "Dosjen 184": Përgjimet Agron Malajt dhe lidhjet e fshehura në Dibër
Partia Demokratike ka rihapur dosjen “184”, në të cilën pretendohet se janë përgjuar drejtues të lartë shtetërorë, të cilët komunikonin për sigurimin e votave në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e pjesshme lokale për Bashkinë e Dibrës, në vitin 2016.
Hetimi për dosjen 184 ka nisur në vitin 2016 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda. Prokurorët që e ndoqën fillimisht atë çështje janë shkarkuar nga Vetingu ose janë transferuar në pozita të tjera.
Pas largimit të prokurorëve të mëhershëm, dosja “184” i kaloi në dorë prokurorit Klodian Braho, i cili në atë kohë ushtronte funksionet tek Krimet e Rënda.
Prokurori Braho shpalli mos-kompetencën dhe e transferoi dosjen në Prokurorinë e Dibrës, megjithëse të dhënat e bëra publike tregonin se në atë dosje ishin të përfshirë personazhet shumë të larta të maxhorancës socialiste të Edi Ramës.
Në lidhje me këtë dosje, avokatja Adrijana Kalaja shprehu se në momentin që Partia Demokratike bëri kallëzimin për dosjen 184, ishin marrë shumë informacione shtesë, dhe një nga këto informacione që ajo do ta dërgonte sot në SPAK është një CD.
‘Kjo CD është një nga 64 CD e përgjuara me vendim të prokurorisë së krimeve të rënda (po flasim këtu për vitin 2016) dhe me vendim edhe të Gjykatës, ky person ka lidhje shumë të forta me drejtuesen e prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keçi pra është bashkëshorti që është në përgjime dhe bashkëshortja i binte të hetonte dosjen ku ishte i përfshirë bashkëshorti. Për këtë CD dhe këtë numër telefoni që është këtu është dhe numri i Agron Malaj'- u shpreh Kalaja.
Adriana Kalaja: "Ne kemi çuar prova, kemi çuar edhe një argumentim ligjor përse nuk është hetuar siç e parashikon ligji. Dhe, sipas informacionit që kam, çështja është regjistruar, dhe kishim një shqetësim tjetër, pasi Dumani shprehu se nuk e njeh dosjen.

I kemi thënë atij që na vjen keq që kreu i SPAK nuk e njeh një dosje kaq problematike, e cila është njohur deri në Gjermani dhe ne i dimë të gjitha ato. Një nga personat kryesorë të asaj dosjeje, që ka pasur edhe vendim për përgjim, është Pjerin Ndreu, një nga njerëzit më problematikë të zonës.
Një nga eksponentët, për të kujtuar edhe publikun lidhur me Pjerin Ndreun, i cili ka detyruar të gjithë stafin të deklarojë votën, përndryshe do të largohen nga puna ditën e hënë.
Në momentin që PD bëri kallëzimin për dosjen 184, më erdhën shumë informacione shtesë dhe një nga këto informacione që unë sot do të çoj në SPAK është një CD. Kjo CD është një nga 64 CD-të e përgjuara me vendim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda (po flasim këtu për vitin 2016) dhe me vendim të Gjykatës.
Ky person ka lidhje shumë të forta me drejtuesen e Prokurorisë së Dibrës, pra është bashkëshorti i saj që është në përgjime, dhe bashkëshortja i binte të hetonte dosjen ku ishte i përfshirë bashkëshorti.
Për këtë CD dhe këtë numër telefoni që është këtu, është dhe numri i Agron Malaj dhe për këtë numër digjet i gjithë veriu".


