I dënuar me burg për vjedhje në Itali, arrestohet 33-vjeçari në Laç
Në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 33”, është arrestuar një 33-vjeçar i identifikuar si Klaus Nikolli i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i të riut ka ardhur pasi ai është dënuar nga Gjykata e Milanos për vjedhje.
Policia thekson se i arrestuari akuzohet se ka vjedhur në Milano në kuadër të një organizate kriminale. Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Itali, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 33”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Akuzohet se ka vjedhur në Milano, në kuadër të një organizate kriminale, arrestohet në Laç, 33-vjeçari.
Në vijim të bashkëpunimit solid dhe intensiv, me homologët e Policisë italiane, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 33”, lokalizuan në Laç dhe arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasin K. N., 33 vjeç, i lindur në Laç.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Milanos i ka caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën prenale “Vjedhja”, kryer në rrethana rënduese dhe në kuadër të organizatës kriminale. Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Itali, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi.

