Seanca për Veliajn, Gjokutaj: Provat e reja mund të jenë gjetur nga telefoni i tij. Janë djegur në tarracën e bashkisë letra edhe janë transportuar akte të tëra që ...

Avokati Genc Gjokutaj tha sot se një nga provat e reja që SPAK mund të ketë paraqitur seancën e së hënës ndaj Erion Veliaj mund të jetë telefoni celulari i tij.

Në Syri Tv, Gjokutaj tha se në telefonin e Veliajt, prokurorët mund të kenë gjetur gjurmë të veprave penale për të cilat akuzohet kryebashkiaku i Tiranës.

Gjokutaj theksoi se celulari është i vetmi që sekuestrohet në momentin e arrestimit dhe se, ekspertët e BKH-së kanë patur një muaj kohë për të kryer ekspertimin e tij.

“Kjo është një seancë ankimore, ndaj vendimit të shkallës së parë dhe me siguri është rehatuar gjatë ditës. Veliaj merret me rrethanat dytësore, kushte dhe kritere.

Thotë se nuk është i rrezikshëm, thotë se nuk prish prova e nuk largohet, por nuk thotë asnjë fjalë për faktin penal dhe për dyshimin e arsyeshëm që është guri i themelit të një mase sigurie dhe derivon pastaj me një kërkesë nga e cila ai pretendon një pafajësi, një pafajësi inekzistente.

Ai konverton në një masë më të butë, që në një farë mënyre aty flitet që ka penalitet.

Tani, se çfarë ka ndodhur, sesa Erion Veliaj mund të prishë provat, janë djegur në tarracën e bashkisë letra edhe janë transportuar akte të tëra që nuk dihet se ku kanë shkuar.

Erion Veliaj, në drejtim të regjimit të burgimit, është një rast i paprecedentë ku ai komunikon 24h/24, sikur të ishte në zyrë ndërkohë që ju mbani mend me raste të tjera ku diskutohej takimi me njerëz të caktuar.

Hetimi ndaj Erion Veliaj nuk ka filluar në momentin e arrestimit. Ka zgjatur në një rrafsh kohor relativisht të gjatë, por, ajo që përbën risi dhe që mendoj se duhet të jetë administruar sot, është telefoni. Telefoni i cili merret vetëm në momentin e arrestimit.

Sepse në Shkallë të Parë, nuk ka kohë të këqyret dhe ekspertohet telefoni.

Mendoj që periudha kohore e ankimimit i ka dhënë kohë ekspertëve të BKH-së për të këqyrur telefonin. Ata mendoj se aty kanë gjetur gjurmë të veprave penale, rrethana e fakte të cilat lidhen me fabulën e kësaj çështje",-tha Gjokutaj.