Redi Ramaj: Partitë politike sillen rreth të njëjtëve individë, PS nën kontrollin e plotë të kryeministrit

Vetëm dy ditë na ndajnë nga momenti ku ligjërisht mbaron afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputet, që subjektet në garë do të duhet të dorëzojnë me qëllim që të nisë procesi i vlerësimit të tyre dhe ti çelë rrugën në këtë mënyrë fushatës që vjen për zgjedhjet e 11 majit.

Nga një vlerësim paraprak duket se partitë janë ende në ngërcin e këtij momenti, por pa dashur të hyjmë në një gjykim për secilin emër nuk duket se kanë bërë gati lista surprizuese për qytetarët, apo lista me emra që qytetarët të mund të mrekullohen për shkak të vlerave që përfaqësojnë ata që do të mund të gjejnë atje.

Sot, për të diskutuar për këtë sfond paraprak, se për çfarë po ndodh praktikisht, i ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News', ishte avokati Redi Ramaj.

" Duke parë sistemin dhe mënyrën sesi ka operuar Shqipëria për 30 e ca vite, partitë sillen rrotull të njëjtëve individë, pak më tepër dhe pak më fortë kryeministri e ka të gjithë situatën nën kontroll brenda PS. E shpreh dhe hapur lidhjen e tij, Parti Shtet dhe Parti Kryeministër. 

Pra ai i lidh të gjitha me postin e tij, kështu që çdo deputet aty është i varur në atë parti nëse ka bekimin apo jo të kryeministrit.

Gjithashtu mënyra sesi Partia Socialiste e ka humbur, ju i dini më mirë ndryshimet para vitit 2005 dhe pas vitit 2005 janë si nata me ditën në PS. Nuk di më të ketë dorëheqje apo zgjedhje brenda kësaj partie. Nuk di më të jetë zgjedhur dikush me votë brenda anëtarëve të strukturës. Të gjitha janë vendosur nga Edi Rama dhe është kjo situatë e cila përkthehet me pushtete, klientelizëm dhe me mënyra e formash dhënie pushteti në 12 vite për tu konvertuar me vota dhe për tu konvertuar në individë që futen në parlament", u shpreh Ramaj.