''Do të nisim konsultimet për kandidatët'', Berisha-gazetarëve: Mos i transmetoni asnjë fjalë dhe presje marrëzirave që flet Rama gjersa...

Kreu demokrat Sali Berisha, u ka bërë thirrje gazetarëve të bojkotojnë kryeministrin Edi Rama, duke mos i transmetuar fjalimet e tij, gjersa ai të dalë dhe të flasë para tyre.

Ndër të tjera, Berisha tha se Parlamenti sot ishte se gjemia e braktisur nga kapiteni.

“Parlamenti sot ishte se gjemia e braktisur nga kapiteni. Edi Rama ka braktisur gjeminë që po mbytet dhe nuk do të jetë i pranishëm.

Ka javë të tëra që nuk duket dot në parlament, por ka më shumë që nuk del dot para jush. Këtë e konsideroj akt të rëndë. Dhe ftoj mediat që gjersa ai te dalë para gazetarëve të mos i transmetojnë asnjë fjalë dhe presje të marrëzirave që flet”, tha Berisha.

Pas fjalës së tij në Parlament, Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli edhe për përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha ka shpjeguar se do të fillojnë konsultimet me drejtuesit politikë të partisë për listat e kandidatëve, dhe pas këtyre konsultimeve, do të mblidhet kryesia e PD-së për të hartuar përfundimisht listën.

Ai theksoi se ky do të jetë një proces “më transparent” se kurrë, duke pasur parasysh se do të pasqyrojë vullnetin e anëtarësisë së PD-së, me disa modifikime të domosdoshme për përfaqësimin e grave, të rinjve dhe për disa përfaqësime të mundshme të komuniteteve të tjera.

Berisha theksoi se nëse gjatë procesit do të konstatohet ndonjë mangësi serioze në përfaqësimin e komuniteteve, do të ndërhyhet për të garantuar që të gjithë grupet të jenë të përfaqësuara si duhet.