Polici futet në trafik armësh! Si agjenti i infiltruar zbuloi rrjetin në Gramsh! Armatimet dërgoheshin në Maqedoninë e Veriut
Rrjeti i shitjes së armëve në Gramsh u zbulua nga një agjent i infiltruar. Efektivi kërkoi automatik dhe granata duke u deklaruar se ishte nga Maqedonia e Veriut. Pas marrëveshjes prej 2 mijë eurosh për armët e prodhuar po në Gramsh autori u vu në pranga
Një person ka rënë në prangat e policisë për tregti armësh dhe dy të tjerë për falsifikim të dokumenteve në Peqin. Për të zbuluar rrjetin blutë kanë infiltruar një agjent, i cili është paraqitur për blerjet.
Sipas dosjes hetimore ai është prezantuar si shqiptar i Maqedonisë së Veriut, duke shfaqur interes të blinte në Gramsh sasi armësh dhe municioni.
Ai ka rënë në kontakt me 52-vjeçarin Elban Çunikun nga fshati Çekin i kërkuar këtij të fundit sasi armatimi dhe municioni.
Duke e cilësuar situatën të ndezur agjenti ka kërkuar të bënte shpejt marrëveshjen kundrejt 2 mijë euro ku 52-vjeçari ra dakord ti siguronte tre armë dhe fishek. takimi për dorëzimin e mallit është bërë në qytetin e Gramshit, ku 52-vjeçari është ndaluar teksa po priste “blerësin sekret” nga Maqedonia e Veriut.
Gjatë procedurës së arrestimit Elban Çunikut ju sekuestruan 3 automatike kallashnikov, 3320 fishekë dhe një granatë defensive, armatim ky i prodhuar në uzinën e Çekinit në Gramsh.

Ndërkohë gjatë kryerjes së veprimeve hetimore nga i njëjti agjent policie është zbuluar aktiviteti i dy personave në Peqin, që kryenin falsifikimin e dokumenteve.
Zbulimi i tyre është kryer pasi 52-vjeçari nga Gramshi, bashkëpunonte me 59-vjeçarin Dhimitër Peqinin dhe Artan Lila. Ky i fundit është arrestuar dhe herë të tjera për falsifikim dokumentesh në zonën e “Rrugës së Kavajës”.
Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit Artan Lila, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara si shqiptare, bullgare dhe maqedonase dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.


