Rrëzohet kërkesa e PD/ Nuri:E nevojshme që të shtyhej afati për regjistrimin e emigrantëve

Komisioni Rregullator ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen e afatit për regjistrimin e diasporës në platformën elektronike “PER”.

Me shumicë votash, komisioni nuk e mori parasysh kërkesën e PD.

Sakaq, mesnata e 4 marsit është afati i fundit i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e diasporës për të ushtruar të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Nga të dhënat e KQZ në faqen online, deri tani rezultojnë të jenë regjistruar mbi 230 mijë shqiptarë me të drejtë vote.

Mbi 14 mijë të tjerë janë në pritje të regjistrimit, ndërkohë që shifra e të refuzuarve është e lartë, mbi 42 mijë.

Partia Socialiste në propozimin e saj ka qenë e hapur për t’u dhënë më shumë kohë pjesës që janë refuzuar në procesin e aplikimit.

Për të folur për këtë temë, i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype", ishte përfaqësuesi ligjor i PD, Franc Nuri.

"Unë gjykoj që ishte e nevojshme të shtyhej afati me 5 ditë për arsye jo vetëm të faktit që kishte një numër mjaft të lartë kërkesash të depozituara 3 ditët e fundit në platformën "PER", në KQZ për tu regjistruar. 

Në datën 3 mars ishin rreth 16 mijë kërkesa të depozituara, po ashtu dhe një ditë përpara, 2 mars, 16 mijë kërkesa. Ndërkohë në datën e fundit, pra dje, deri në orarin e vonë të përfundimit të gjithë procesit u numuruan mbi 12 mijë kërkesa.

Po ti bëjmë bashkë është një shifër që e tejkalon shifrën e 45 mijë kërkesave në 3 ditë. Shqiptarët i lënë ndonjëherë gjërat në minutë të fundit, por prandaj duhej të ishte shtyrë afati. Ishte plotësisht e mundshme që të bëhej", u shpreh Nuri.