Goxhobelli: Bashkëpunimi me BE, thelbësor për modernizimin e Kadastrës

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të Programit “BE për të drejtën e pronësisë”, financuar nga Bashkimi Europian.

Ky projekt synon të rrisë efikasitetin dhe transparencën në reformën gjithëpërfshirëse të menaxhimit të pronave dhe shërbimeve kadastrale në Shqipëri si dhe të forcojë garantimin e të drejtës së pronësisë për qytetarët.

Në fjalën e saj, Goxhobelli vuri në dukje progresin e deritanishëm, por edhe sfidat e mbetura në këtë sektor.

Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e të dhënave kadastrale ekzistuese duhen përmirësuar, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës, pasi ende mbështetemi në arkiva të bazuara në letër, që e bëjnë procesin më të ngadaltë dhe më pak të sigurt.

Ndër prioritetet kryesore për trajtimin dhe zgjidhjen e sfidave me të cilat ASHK përballet sot, Goxhobelli renditi si më të rëndësishme digjitalizimin e të dhënave kadastrale për një sistem efektiv, modern dhe të sigurt si dhe përmirësimin dhe përditësimin e cilësisë së të dhënave, duke korrigjuar pasaktësitë dhe konfliktet e trashëguara.

Gjithashtu, drejtoresha e ASHK-së nënvizoi se po kaq i rëndësishëm është edhe finalizimi i procesit të regjistrimit fillestar për zonat e mbetura dhe riinxhinierizimi i proceseve, për të siguruar shërbim të shpejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët dhe bizneset.

Goxhobelli vuri në dukje se ky transformim nuk është thjesht një përmirësim i proceseve, por një reformë e thellë që përveç se përmirëson shërbimet kadastrale ndikon drejtpërsëdrejti në sektorë kyç si bujqësia, turizmi etj.

Ajo theksoi se Bashkimi Evropian luan një rol kyç në këtë proces mbështetja e tij është thelbësore për të mbyllur hendekun mes gjendjes aktuale dhe një të ardhmeje ku të drejtat pronësore janë të sigurta dhe të garantuara.