Rama në Berlin: Shqipëria më e larmishme se Zvicra! Aeroporti i Vlorës i përgjigjet fluksit të vizitorëve drejt jugut

Në konferencën e turizmit në Berlin, Rama u ndal te bukuritë natyrore që ofron Shqipëria. Rama tha se Shqipëria është një vend edhe më i larmishëm se Zvicra.

"Jam tejet i bindur që ashtu siç po ndodh sot, do rritet edhe më shumë, me më shumë gjermanë, zviceranë, izraelitë, me shumë turistë të Europës veriore që do vijën tek ne për bukuritë e maleve, për bukurinë e aventurave të tjera si rafting në lumenj etj. Shqipëria ka për këdo një vend, është shumë i vogël.

Por ndryshe nga Zvicra është më i larmishëm. Kemi atë që ka Zvicra, por mendoni që në Zvicër të kishit atë që ka Mesdheu. Ne do jemi të pakrahasueshëm, herët më shumë se sa vonë, sepse kemi Zvicrën, kemi Mesdheun kemi gjithçka çfarë do një qeni njerëzore dhe e kemi në një distancë shumë të shkurtër. 28 km, 2 dete, 9 lumenj, shumë male, liqene dhe po kështu si qershia mbi tortë kemi shqiptarët që janë miq. Dhe nuk jemi të mërzitshëm si zviceranët", tha Rama.

Rama foli për aeroportin e Vlorës, atë të Kukësit si edhe planin për hapjen e një aeroporti në Gjirokastër. Rama shpjegoi se janë investime të nevojshme duke parasysh parasysh numrin e lartë të vizitorëve që vijnë në Shqipëri përmes Rinasit.

Aeroporti i Vlorës, tha Rama, synon që të çojë direkt vizitorët për në jug të vendit.

“Do hapim një aeroport të ri. Ka hapësirë më shumë sepse aeroporti i kryeqytetit është ai që ka rritjen më të shpejtë në Europë por është i mbipopulluar. Imagjinoni 11 mln udhëtarë në një vend me 2.5 mln banorë. Aeroporti ri që do hapim këtë vit është më në jug dhe u përgjigjet nevojave të turistëve që shkojnë drejt detit jon dhe pjesës së jugut të vendit tonë ku ka shumë për të parë, po kështu ku janë për t’u zhvilluar resortet më luksoze me 5 yjet.

Kemi një tjetër aeroport në veri dhe po planifikojmë një të katërt përballë Korfuzit sepse ka shumë mbingopje të aeroportet të Korfuzit. Kemi kuptuar që ka nevojë dhe kërkesë të madhe për të pasur një aeroport të vogël sezonal në skajin jugor. Kemi një aeroport mjaft të lirë, vite më parë ka qenë shumë i shtrenjtë, por tani është mjaft i lirë, shumë njerëz nga rajoni vijnë që të fluturojnë nga Tirana. Është një aeroport i hapur 24 orë në 7 ditë të javës”, tha Rama.

Në konferencën për Panairin e Turizmit në Berlin, ku Shqipëria mban “Vendin e Nderit”, kryeministri Rama foli edhe për Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa.

“Sot që flasim kemi një prej parqeve më të mëdha në botë, sepse është më i rralli, në mos i vetmi, Parku Kombëtar i Lumit Vjosa. U zbulua nga qytetarët europiane, miqësor me mjedisin, si lumi i fundit i egër në Europë. Na u hodhën në fut që ta mbronim, ne po kërkonim ta mbronim. Pasi zbutët lumenjtë tuaj donit që lumi ynë të qëndronte i egër. Pasi u zhvilluat në të gjitha mënyrat e mundshme, donit që ne të zhvilloheshim vetëm në mënyrën që ju mendoni se është e duhura.

Mos i kërkoni shqiptarëve që të mos kërkojnë të udhëtojnë me avionë, se na u ndalua për gjysmë shekulli t’i hidhnim sytë një avioni. Ndërkohë që ju fluturonit, ne ecnim, vinim vërdallë vendit tonë që ishte shndërruar në një burg”, tha Rama.