Xhafaj: Reforma në drejtësi përfshin gjithë sistemin, jo vetëm Prokurorinë e Posaçme
Deputeti i PS, Etjen Xhafaj ishte i ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", ku u shpreh se nuk ka ndryshim në qasjen ndaj SPAK-ut dhe se reforma në drejtësi përfshin gjithë sistemin, jo vetëm Prokurorinë e Posaçme.
"Nuk besoj se ka një ndryshim të qasjes ndaj SPAK-ut. Shpeshherë na ndodh, veçanërisht këto kohët e fundit, të ngatërrojmë reformën në drejtësi vetëm me institucionin e Prokurorisë së Posaçme.
Në fakt, reforma në drejtësi ishte një ndryshim tërësor i gjithë konstilacionit të institucioneve të drejtësisë, duke vendosur të gjitha në vendin e tyre.
Qëndrimi i kryeministrit ka lidhje me ato që kanë qenë jo vetëm me masat e kohëve të fundit por dhe një vendim të Gjykatës së Strasburgut mbi një masë e cila ka qenë masë me arrest me burg më përpara për Thoma Gëllçin, ish-drejtorin e RTSH, kur tha se ishte e paligjshme sepse nuk përligjej as nga masat që ishin marr për hetimin pasi ai ishte arrestuar.
Kryeministri dhe PS nuk kanë folur asnjëherë me emra të përveçëm. Kemi folur gjithmonë për proceset dhe standartet e drejtësisë.
Ajo që dëgjojmë është diferenca mes 5 vite zhvillim të reformës në drejtësi. Tanimë ne jemi në pragun e bashkimit Europian, hapim dy grup kapituj të rinj këtë vit dhe kërkesa që ndërsa kërkohet nga institucionet publike që të performojë në nivelin e atyre që janë homologët e tyre europian, të kemi të njëjtën gjë edhe nga të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë", u shpreh Xhafaj.
