Shtyrja e afatit për dokumentet e identifikimit, Bylykbashi: Aktet të vonuara, duhet të kishin dalë më 11 janar

Kuvendi po diskuton sot në seancë plenare dy akte normative përmes së cilave propozohet të zgjatet afati i vlefshmërisë, përkatësisht për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën, deri në fund të muajit maj 2025.

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në fjalën e tij tha se aktet normative janë shumë vonë dhe se duhet të kishin dalë në datën 11 janar.

Bylykbashi tha se PD kishte propozuar më parë që shtetasit shqiptarë të regjistrohen me mjete identifikimi që u ka përfunduar afati, por mazhoranca kishte penguar këtë proces.

“Dy aktet normative që diskutojmë sot të dyja janë shumë vonë. Janë vonë pasi duhet të kishin dalë para datës 11 janar, për shkak të kësaj vonese me dhjetëra mijëra shqiptarë të cilëve mbas 11 janarit u lindte e drejta sipas KQZ të regjistroheshin.

Ata e dinin që vërtet do të regjistroheshin, por nuk votonin dot.

Opozita nguli këmbë, përkundër mazhorancës, që në çdo rast të regjistrohen, sepse ne do të bëjmë një betejë më tutje për t’i garantuar të drejtën e votës, sepse qeveria minimumi, do t’u zgjasë afatin”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi shtoi se qeveria u dorëzua pasi kishte në plan mos t’i regjistronte fare.

“Ne bëmë të mundur që ata të regjistroheshin, por për fat të keq me dhjetëra mijëra nuk janë regjistruar. Ja pse është i vonuar ky u akt duhet të kishte dala para datës 11 janar”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi shtoi se aktet normative kanë prodhuar diskriminim për shtetasit shqiptar që jetojnë në Shqipëri.

“Kjo paplotësi e akteve që kanë ardhur sot, ka prodhuar diskriminim në nivelin e antikushtetutshmërisë.

Qindra apo dhe mijëra qofshin ata të cilët janë në Shqipëri, por nuk e kanë dokumentin e vlefshëm, duhet të kenë të drejtë të votojnë.

Edhe nëse s’kanë para të marrin kartën duhet të shkojnë të votojnë. Prandaj këto akte prodhojnë antikushtetutshmëri”, tha Bylykbashi.

“Propozimi erdhi nga përfaqësuesit e PD dhe u rrëzua nga mazhoranca socialiste sepse nuk duan të lejojnë të votojnë personat që nuk kanë dokumentet e identifikimit”, tha Bylykbashi.

Deputeti demokrat nënvizoi se po shkon në 200 mijë numri i atyre që janë regjistruar në PER, ndërsa duke iu drejtuar mazhorancës tha se ““keni refuzuar 41 mijë persona dhe nuk pranoni të bëni asgjë për ata dhe nuk doni të bëni asgjë”.