"Ky diktatori i sotëm i ktheu zgjedhjet në farsë"/ Berisha: Atëherë dilnin me daulle, tani vijnë dhe thonë, votimi ishte i qetë

"Në diktaturë votohej, siç e dini ju, por nga frika vota shkonte në 90 e sa përqind për diktatorin. Zgjedhjet ishin farsë. Edhe sot zgjedhjet ky i shndërroi në farsë. Zgjedhjet ky i mori me banda, me kriminelë, i mori me patronazhistët, terroristë të vërtetë elektoralë. Paguhen me paratë e taksapaguesve për të qenë shërbëtorë të qytetarëve, dhe bëhen skellvër të regjimit.

Zgjedhjet i mori me përdorimin e dhjetëra, qindra milionëve. Pra, edhe ky diktatori i sotëm e ktheu zgjedhjet në farsë. Atëherë dilnin me daulle. Ditën e votimit, ditë feste. Qe e tmerrshme. Tani, vijnë dhe thonë: votimi ishte i qetë. Vota këtu vdes para se të hyjë në kuti të votimit. Kjo është e vërteta. Kjo është formë e diktaturës kjo lloj diktature.

Këto ditë, ky hipokrit që nuk ka asnjë parim, asnjë vlerë, asnjë kriter për bazë, kujtoi dhe i kërkonte të falur familjes së të ndjerit Prof. Sami Repishti se kishte propozuar për dekorim ish-xhelatin e tij, Shyqyri Çoku. Mund t’i themi: mirë, por ti zotëri, pse nuk i kërkon të falur bashkëshortes së Havzi Nelës, fëmijëve dhe familjes së Havzi Nelës që u var në litar publikisht në sheshin e qytetit me firmën e babës tënd? Pse nuk e dënon këtë akt ti njëherë? Si mund të flasësh ti?

Në radhë të parë ti nise tek vetja. Po nuk e nis dot, se përkundrazi, u thua shqiptarëve se, ai ka qenë në anën e drejtë të historisë. Në cilën anën e drejtë të hsitorisë ka qenë diktatura gjakësore, më e egra pas luftës së Dytë Botërore që Europa ka njohur?

U ndala në këto momente për të paraqitur një krahasim, i cili sado që në dukje të duket i habitshëm, por në fakt është real. Ne, që kemi dëgjuar për vite e dekada Tvsh-në, ne shohim se atëherë ishte një, sot janë bërë 4-5 tv shqiptare, të cilat përdorin fuqinë si medium për të mashtruar dhe dezinformuar qytetarët shqiptarë, për t’i dëshpëruar ata," tha Berisha.