Begaj: Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, përshpejtues i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot Amer Kapetanovic, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Kreu i Shtetit, pasi e uroi për marrjen e detyrës, vlerësoi punën për ta çuar përpara këtë organizatë, të cilën e drejtoi Majlinda Bregu për 6 vite.
Presidenti Begaj e konsideroi Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal si një mekanizëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtues të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti i Republikës vlerësoi arritjet e këtij Këshilli në realizmin e procesit të roaming-ut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, çfarë lehtëson komunikimin dhe financat e qytetarëve të këtij rajoni, si edhe mundësimin e rritjes së vëllimit të shkëmbimeve tregtare.
Pasi u njoh me qëllimet dhe projektet e ekipit të ri drejtues, Kreu i Shtetit theksoi se, është mirë që të synohen arritje të vogla, por solide, në dobi të qytetarëve të këtij rajoni, i cili ka vuajtur shumë në të shkuarën, ndaj ka nevojë për rezultate konkrete me ndikim pozitiv në jetën e përditshme dhe afrojnë realizimin e ëndrrës së integrimit në BE.

