Ç’ndodhi me fëmijët në Shkodër? Mjekja toksikologe: Të priten analizat. Të ndalohet tregtimi i fosfidit të aluminit, është shumë toksik

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë në fshatin Mjedë të Shkodrës, ku dy fëmijë të mitur janë helmuar dhe njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë.

Dy të miturit motër e vëlla, janë transportuar në spital sapo kanë shfaqur shqetësime shëndetësore, por 3-vjeçari nuk ja ka dalë dot të mbijetojë, ndërkohë që motra e tij ndodhet në gjendje të rëndë.

Po ashtu në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe spitalit Rajonal i Shkodrës, ku thotë se mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore.

Gjithashtu spitali bën të ditur se mjekët i kanë kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme.

Por prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi të miturin. Po ashtu bëhet me dije se dy të miturit motër dhe vëlla u intoksikuan nga helmi i minjve.

Mësohet se prindërit kishin kryer spërkatjen e një magazine me këtë substancë toksike, ndërsa kishin me vete edhe fëmijët.

Mendohet se ata mund të kenë thithur ose kanë pasur kontakt me helmin, duke shkaktuar simptoma të rënda që çuan në pasoja fatale.

Për të kuptuar më shumë mbi këtë ngjarje të rëndë, mjekja toksikologe Suela Xhufi në një intervistë për “Ora News” u shpreh që duhet të priten rezultatet e analizave.

“Helmimet toksikologjike jo të gjithë mjekët e kanë aftësinë që ta përcaktojnë, përveç atyre të Urgjencës dhe mjekëve me eksperiencë.

Në rastin konkret, mund të kuptohet në çfarë sasie ka qenë. Nëse ai e ka marrë në mënyrë nga ajri është pak  e vështirë për t’u kuptuar, por kjo varet në varësi të sasisë që merret nga ajri dhe simptomat janë gjëra që vijnë gradualisht dhe që mund të ngatërrojnë me simptoma të tjera si gripi apo virozat që jemi duke kaluar.

Ndaj këto raste nuk janë kaq të thjeshta për t’u kuptuar.

E rëndësishme është që të kuptohet se çfarë ka ndodhur në rastin konkret dhe të merren masa. Por unë si mjeke jam e mendimit që të ndalohet tregtimi i fosfidit të aluminit, sepse ky po bën kërdinë tek moshat e reja, është shumë toksik, dhe shkon shumë shpejt në gjak sepse është gaz. Dhe aftësia që ai ka për të bllokuar oksigjenin është shumë e lartë.

Dhe pacienti mund të vdesë brenda një ore nga marrja e tij”, u shpreh mjekja toksikologe.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME MJEKEN TOKSIKOLOGE SUELA XHUFI