RIHAPET DOSJA E 2018/ “Nuk kam makinë të blinduar” - Zbardhet biseda mes Safet Bajrit dhe policisë! SPAK: Së bashku me Astmer Bilalin...

Të tjera detaje janë zbardhur nga arrestimi i Safet Bajrit mesditën e djeshme (21 shkurt). Mësohet se atij iu dërgua një flet thirrje nga BKH që të paraqitej për ADN dhe dëshmi.

Ndërkohë gjatë bisedës më policinë, Safet Bajri i tha uniformave blu se “nuk kishte makinë të blinduar“.

Policia i tha se do shkonin ne komisariatin e Shkodrës për t’i marrë ADN.

Ai u paraqit bashke më avokatin Sokol Tahiraj, por teksa priste RENEA zbarkoi aty dhe e shtriu përtokë duke i vënë prangat.

Në policinë e Tiranës atij iu komunikua edhe masa e sigurisë arrest me burg për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarja e ndodhur në 2018.

Sipas njoftimi të SPAK, Safet Bajri bashkë me Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin organizuan dhe vranë Fatbardh Licin, për të marrë hak për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana.

Ky i fundit Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri dhe sipas SPAK Behar Bajri i atribuon vrasjen e Boran Berçanës, Ibrahim Licit, dhe për këtë ka vrarë për hakmarrje Fatbardh Licin.

Vrasja e Berçanës ndodhi më 15 korrik të vitit të 2018 dhe nuk është zbardhur, ndërsa u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon për procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues.

Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur:

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim B.B; A.B dhe S.R, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;

Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; B.B; A.B dhe S.R  kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit F. L, i afërm i shtetasit I.L. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit I.L për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit B.B,

Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim B.B; A.B dhe S.R.

Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë”.