Atentatet në Shkodër, transportohet nga RENEA në Tiranë Safet Bajri

Policia dhe forcat speciale RENEA kanë kryer sot shoqërimin e Safet Bajrit njeriut të përmendur për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale që kanë trodnitur Shkodrën. 

Mësohet se Bajri do të shoqërohet për në ambientet e policisë së Tiranës ku dhe do të merret në pytetje për dyshimet e prokurorëve. 

Dy ditë më parë forcat RENEA kryen kontrolle në banesën e Safet Bajrit në Dobraç të Shkodrës. 

Sipas avokatëve të Safet Bajrit ky i fundit ishte thirrur në orën 11:00 për të dhënë deklarime, por pas mbërritjes në polici, i është komunikuar se marrja në pyetje e tij do bëhet në Tiranë.

Mbrojtja nuk konfirmon tu jetë komunikuar ndonjë urdhër arresti, ndërsa pohon se për herë të dytë kërkohet marrja e ADN-së së këtij shtetasi. Bajri është transportuar drejt Tiranës i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie.

Shoqerimi i Safet Bajrit është bërë me Vendim gjykate, pasi ai nuk kishte pranuar të dorezonte mostra gjaku dhe pështyme, lidhur me kryerjen e një analize ADN-je.

Në këto kushte SPAK i është drejtuar gjykatës me një kërkesë duke miratuar më pas shoqërimin e tij të detyrueshëm për marrjen e kampionit.